Roma po përballet me një situatë të vështirë në këtë fillim sezoni. Verdhekuqtë nuk njohin ende fitore në kampionat, çka solli edhe shkarkimin e trajnerit Daniele De Rossi.
Largimi i legjendës së Romës nga drejtimi i skuadrës nuk është pritur mirë nga tifozët. Këta të fundit, kanë dalë kundër klubit për vendimin, duke protestuar, ndërsa akuzuan si fajtore për shkarkimin, drejtoreshën ekzekutive, Lina Souloukou.
Kjo e fundit dha dorëheqjen nga roli i CEO-s, pas protestave të tifozëve. Njoftimi u dha nga vetë klubi i Romës, që bëri të ditur largimin e Souloukou.
“AS Roma njofton se CEO Lina Souloukou ka dhënë dorëheqjen. Falenderojmë Linën për përkushtimin e saj në një fazë veçanërisht kritike për Klubin dhe i urojmë asaj më të mirën për sfidat e saj të ardhshme profesionale. Pronësia mbetet plotësisht e fokusuar tek rritja dhe suksesi i Romës, me vëmendje të vazhdueshme ndaj vlerave që e bëjnë ekipin tonë kaq të veçantë”, thuhet në deklaratën e klubit. /tvklan.al