Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Të paktën 5 persona janë plagosur gjatë një aksioni ku ka bashkëpunuar Prokuroria e Përgjithshme, policia shqiptare dhe autoritetet policore italiane. Bëhet fjalë për një rrjet të fuqishëm të trafikut të drogës, kryesisht heroinë, e cila për disa vite është transportuar nga Shqipëria nëpërmjet portit të Shëngjinit drejt Italisë dhe që shtrihej edhe në qytet Lezhë, Tiranë, Durrës, Fier dhe Berat.

Emrat e të arrestuarve u bënë të njohur gjatë një konference për shtyp në Ministrinë e Rendit. Ata janë Arjan Sleimi, Petraq Avrami, Blenrad Fejzullai, Mehmet Fejzullai, të arrestuar në Tiranë dhe Kujtim Beqiri, i arrestuar në Durrës. Ndërsa është ndaluar Elis Progrozhda në Fier.

Ky aksion ka pasur edhe 12 persona të shoqëruar, mes të cilëve persona të njohur si Perikli Dhales, aktivist i PD dhe dy djemtë e tij, Inis Gjoni eti. 12 personat janë liruar pasi janë marrë në pyetje nga policia dhe prokuroria. Gjatë konferencës për shtyp, drejtori i përgjithshëm i policisë së policisë së shtetit Bajram Ibraj ka bërë të ditur se çështja po hetohet nga prokuroria e krimeve të rënda, që do të thotë se të arrestuarit rrezikojnë dënimin me të paktën 15 vjet burg.

Bajram Ibraj: “Nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, strukturave të policisë gjyqësore, qëndrore e vendore në drejtorinë e përgjithshme të policisë edhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar po vazhdon puna e mëtejshme për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të këtyre personave, si dhe për ngrirjen e llogarive bankare dhe identifikimin e pasurive e aseteve të tyre, deri në sekuestrimin e atyre pasurive të paligjshme, që rrjedhin nga veprimtaria kriminale”.

Të arrestuarit janë pjesë e një grupi të trafikut të drogës, me bazë në Milano, ku rreth dy vjet më parë ka pasur të arrestuar për të njëjtën çështje, ndërsa personat e prangosur së fundmi në Shqipëri do t’i nënshtrohen procesit në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, ku provat kanë ardhur nga autoritetet e drejtësisë italianë./tvklan.al