Diola Dosti sapo është kthyer nga pushimet ekzotike në Bali, Indonezi prej të cilit ka postuar video e foto fantastike, plot ngjyra e natyrë duke mos harruar të ndajë edhe këshillat e saj me ndjekësit. Megjithatë, këshillat nuk kanë qenë e vetmja gjë që janë bërë pjesë e postimeve.
Prej pak kohësh, nutricionistja po jeton një histori të bukur dashurie me biznesmenin nga Kosova, Erolld Belegun. Në bisedën në “Rudina” në Tv Klan, ndërsa flet me sytë që i ndrisin, Diola e përshkruan si një surprizë të paparashikuar.
Diola Dosti: Pushimet ishin shumë të bukura dhe ne, le të themi, e kemi gjetur paqen dhe qetësinë me njëri-tjetrin dhe besoj që kjo edhe reflektohet. Ndonjëherë duket që ne bëjmë plane dhe Zoti qesh me ne, kështu që nuk i dihet asnjëherë, gjithçka e paparashikueshme, e paplanifikuar por ndoshta është më bukur kur gjërat ndodhin kështu, kur të surprizon vetë Zoti.
Njohja e tyre ka ndodhur në koncertin e Vesa Lumës ku krejt rastësisht karriget e tyre ishin pranë dhe duket se kjo afroi edhe zemrat.
Diola Dosti: Ka qenë një ftesë e Vesës që më bëri për koncertin e saj. Unë me thënë të drejtën, atë ditë isha me dy mendje dhe madje u thashë vajzave që mami nuk do të vonohet sot, edhe pse koncerti ishte në darkë, nuk do të vonohem sepse po shkoj t’i bëj qejfin Vesës sepse nuk isha në gjendje shumë të mirë për të dalë. Kur shkova, aty pashë që ishte i shoqëruar me Isida Mollaymerin dhe ndërkohë më thotë për t’u ulur, i kishim karriget afër me njëri-tjetrin dhe aty ka filluar komunikimi i parë, ka qenë pikërisht në shkurt. Duket sikur çdo gjë erdhi krejtësisht natyrshëm, ishte një kimi, e ke parasysh ato gjërat e bukura që nuk gjen fjalë për t’i përshkruar, kam emocione tani.
Një tjetër rastësi vijoi pasi të dy kishin marrë të njëjtën ftesë për një tjetër koncert, kësaj here në Kosovë. Si fillim, pati një takim mes tyre që tregoi shkëndijën e parë e cila do të kthehej në një fishekzjarr dashurie në një vallëzim gjatë mbrëmjes në Gjakovë.
Diola Dosti: Jemi takuar të nesërmen sepse ai qëndroi një natë në Tiranë, “mund të hamë mëngjesin bashkë?” Po i them, dakord në rregull dhe numrat deri aty nuk i kemi shkëmbyer.
Rudina Magjistari: Pra pati një shkëndijë që në atë moment.
Diola Dosti: Sigurisht. Zhvilluam një lloj bisede që kishin kaluar 4 orë dhe nuk e pamë, jemi takuar në orën 8 dhe vajti ora 12, pamë që thjesht koha kishte fluturuar. Në atë koncertin e radhës që mbahej në Gjakovë për 17 Shkurtin dhe aty më duket që ishte ajo shkëndija më e fortë. Ishte madje një moment shumë i bukur që askush nuk po kërcente dhe u çuam vetëm ne të dy dhe më thotë që “shiko tek ai ekrani aty na kanë kapur vetëm neve” dhe unë shikoja vetëm Erolldin dhe s’më interesonte, shikoja vetëm ‘blur’ pjesën tjetër, nuk shikoja asnjë lloj gjëje. Aty e kuptova, thashë Diola, po ndodh një gjë e madhe dhe thjesht e kam lënë veten se unë gjithmonë në këto raste kam qenë shumë e tërhequr, kam menduar në forma të ndryshme, por për herë të parë vendosa të ndjek zemrën./tvklan.al