Prej një viti e gjysmë, Ilioni ia ka dalë që t’i japë fund varësisë 5-vjeçare nga droga. Ai e ndau historinë e tij të vështirë e njëkohësisht frymëzuese me të rinjtë e tjerë të rubrikës  “Gen Alpha” që është krijimi i fundit i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.

19-vjeçari tregoi sesi nisi gjithçka me prezantimin ndaj cigares në moshën 11-vjeçare, më pas me hashashin e më tej me kokainën. Gjatë kësaj periudhe, Ilioni ishte përpjekur të shkëputej vetë por pa sukses. Ai thotë se arriti fillimisht të thoshte “stop” kur pa se kishte arritur fundin.

Ardit Gjebrea: Si i the ti  “stop”?

Ilion: Unë “stop” thashë vetëm atëherë kur arrita të prek fundin. Unë quaj të prekur fundin  atëherë kur shëndeti im po përkeqësohej shumë e më shumë, kur kishte shumë raste që po e shihja veten keq.

Ardit Gjebrea: Sa keq, ç’domethënë “keq”?

Ilion: Keq është që të kesh frikë të dalësh në rrugë. Keq është të të ndjekin shumë persona, për arsye të ndryshme. Ndonjëherë ne i neglizhojmë shumë lajmet që dëgjojmë që u vranë për punë droge, u vranë për punë kështu, u vranë për punë ashtu.  Nuk është  dhe aq e madhe dhe aq larg,  është mu përpara derës sonë. Ka pasur plot traste kur unë nuk dilja dot në lagjen time sepse ishin shumë persona të cilët mundoheshin të më gjenin, pse jo të më dhunon për arsye të ndryshme. Një ndër arsyet sepse unë u kisha lekë borxh nga përdorimi dhe faza më e keqe që unë kurrë nuk dua t’i ndodhë askujt, është kur ti shikon familjen tënde, ti je duke u ndarë. Nuk ekziston më paqja në familje, por edhe familja avash-avash fillon shpërbëhet sepse këto atë gjë sjellin. Patjetër që në lajme e dëgjojmë që droga të vret, nuk duhet pirë drogë, por cila është arsyeja e vërtetë?

19-vjeçari shton se ndryshimi i parë ishte kur pranoi të kërkonte ndihmë. Ai e quan fitore dorëzimin e tij ndaj familjes që edhe pse po shkatërrohej nga situata, nuk e la asnjëherë në baltë.

Ardit Gjebrea: Ti si shpëtove?

Ilion: Fitorja ime e parë ka qenë kur unë u dorëzova.

Ardit Gjebrea: Si u dorëzove?

Ilion: Thjesht iu dorëzova familjes dhe thashë kam nevojë për ndihmë. Ishte momenti kur unë e pranova që unë nuk shpëtoja dot më vetëm.

Ardit Gjebrea: Ti iu dorëzove familjes, dhe?

Ilion: Këtu nisi gjithë ndryshimi i jetës time se unë lejova që të ndryshoja se deri në njëfarë pike unë  nuk kam lejuar që të ndryshoj dhe në qoftë se gjithsecili prej nesh nuk do të ndryshojë, asnjë nuk të ndryshon dot, është e pamundur. Kur dëshira ime lindi që unë të ndryshoja duke u nisur nga familja, po shikoja familjen time të shkatërrohej, aty familja ime filloi të më jepte krahun e fundit sepse edhe at apo humbnin shpresën që unë do të bëhesha. 

Ilioni iu drejtua fillimisht Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për të marrë ndihmë. Aty i ofruan vetëm një lloj detoksi me serume, vitamina e qetësues i cili vetëm e riktheu te droga.

Ilion: Çdo kthim është akoma më i rëndë dhe shumë herë më e vështirë që unë të çohesha.  Pasi unë e provova dy herë te spitali, te detoksi, te Toksikologjia, rendja ime bëhej akoma më e vështirë dhe ngritja ime ishte pothuajse e pamundur.

Shpresa që Ilioni dhe familja e tij gjetën ishte “Teen Challenge Albania”, një qendër e specializuar rehabilitimi ku sot, pas një viti e gjysmë pa asnjë substancë në trupin e tij, Ilioni ofron ndihmë si vullnetar./tvklan.al