Shkodra vazhdon të tërheqë turistë nga e gjithë bota edhe gjatë muajit Shtator, duke dëshmuar se është një destinacion i preferuar për pushuesit që kërkojnë një përzierje të kulturës, historisë dhe natyrës. Falë klimës së ngrohtë dhe pasurisë së saj natyrore e kulturore, qyteti verior shqiptar është vend ideal për to.
“Jam nga Gjermania. Kam një ditë që kam ardhur në Shkodër, vizitova Kosovën, Malin e Zi, erdha në Shkodër dhe do të shkoj dhe në Tiranë. Këtu është kaq bukur dhe njerëzit janë kaq miqësorë. Ne absolutisht duam të vizitojmë sërish Shkodrën,” tha një turiste.
“Jam nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të qëndroj këtu një javë sepse shoku im nga Amerika jeton këtu,” u shpreh një turist.
“Na pëlqejnë njerëzit, na pëlqen panorama rreth Alpeve, Alpet, na pëlqen çdo gjë. E nisëm turin në Prishtinë, guida ishte e mrekullueshme. Vizituam Prizrenin dhe Gjakovën dhe dje kemi ardhur këtu me varkë nga lumi i Shalës. Do rrimë dy javë dhe turin do ta përfundojmë në Berat. Grupi ynë është i gjithë nga Australia,” tha një turiste tjetër.
Liqeni i Shkodrës, Kalaja e Rozafës dhe qendra historike e qytetit janë disa nga pikat më të vizituara nga turistët, të cilët shijojnë edhe ushqimet tradicionale dhe mikpritjen e banorëve vendas.
Gjatë Shtatorit, Shkodra ofron gjithashtu aktivitete kulturore dhe artistike, si festivale dhe ekspozita që pasurojnë përvojën e vizitorëve.
Operatorët turistikë kanë vënë re një rritje të interesit nga turistët evropianë dhe rajonalë, të cilët e zgjedhin Shkodrën për pushime të shkurtra dhe të qeta. Sipas të dhënave të fundit, hotelet dhe bujtinat lokale po punojnë me kapacitet të plotë.
Turizmi në Shkodër gjatë muajit shtator është një mundësi e shkëlqyer për të eksploruar një nga qytetet më të lashta të Shqipërisë.
Klan News