Kjo ka qenë një verë e gjatë në Shqipëri për Belina Pupën, e cila krahas pushimeve në veri, ka shijuar edhe plazhet. Por në shijen që psikologia e njohur ka marrë nga këto pushime, është një ankesë që e kemi dëgjuar shpesh.
Në programin “Rudina” në Tv Klan, Belina nuk është dakord për privatizimin e bregdetit. Ajo thotë se në Australi, ku jeton, çdokush mund të frekuentojë cilindo plazh pa asnjë kufizim. Sipas saj, në Shqipëri nuk e gjen të njëjtën gjë për shkak të shezlongëve që kanë pushtuar plazhet.
Belina Pupa: Nuk bie dakord që unë jam një qytetar i thjeshtë dhe dua ta bëj plazhin,nuk e kam me lokalet,unë e kam me bregdetin. Çka më bezdis mua si i huaj kur vij në Shqipëri, e them si i huaj, pavarësisht se unë jam shqiptare, kam 20 vite që kam ikur nga Shqipëria, në vendin ku unë jetoj, në Australi, ne kemi plazhe pafund. Domethënë vija bregdetare jona nuk mbaron dot, një jetë të kesh, nuk e shikon dot të gjithën. Çfarë do të thotë, në asnjë vend në plazh ku ti shkon, secili, nuk ka rëndësi çfarë ekonomie ke ti, në çdo vend të plazhit ti mund të ulesh.
Unë sivjet në Drimadhes, jam çuar, kam veshur atletet në mëngjes dhe kam dalë të eci në plazh, në 8. Nuk kisha shans të ecja në këmbë, të bëja ecjen time të mëngjesit, pa rënë mbi shezlongët që kanë zënë bregdetin. Kjo mua më bezdis. Për këtë më dhemb shpirti, që ne e kemi privatizuar plazhin. Plazhi nuk duhet privat, plazhi duhet të jetë publik. Ah, flasim se ne si europianë kemi kulturën e shezlongut, të vijë kamarieri të na shërbejë, jam dakord, po unë që s’e kam ndoshta mundësinë të shkoj te ai plazhi? Pse unë duhet të penalizohem?/tvklan.al