Manastirliu: Domosdoshmëri masat kundër covid
Nuk ka më asnjë dilemë. Shkollat do të nisin në 14 Shtator dhe deri atëherë do të jetë gati një protokoll i rreptë i parandalimit të përhapjes së koronavirusit. Dy ministret, ajo e Arsimit dhe e Shëndetësisë, thanë se masat anti-covid do të jenë në varësi të shkollave.
Besa Shahini: Kemi zhvilluar një pyetësor për shkollat te nxënësit, prindërit dhe mësuesit, 87% mendojnë se duhet të kthehemi në shkollë në fillim të vitit shkollor dhe vetëm 13% duan kushte shtëpie. Ne pajtohemi me ju dhe prandaj kemi zhvilluar disa skenarë për mundësinë e hapjes së shkollave në varësi të shkollës, numrit të nxënësve, gjendjes së shkollave dhe nevoja të komunitetit për të qenë fizikisht në shkolla. Skenarët janë të ndryshëm. Ka shkolla që mund të vijojnë normalisht ku mund të ruhet distancimi, ku ka pak nxënës, ka shkolla që punojnë me një turn, por do i ndajmë me grupe të vogla, ka shkolla të tjera në zonat e tërmetit që ka numër të madh që duhet të organizohen në një formë tjetër për kthimin në shkollë dhe ruajtjen e distancimit social, duke i ndarë në më shumë turne ose duke i çuar në shkollat më të afërta.
Ogerta Manastirliu: Grupet tona të ekspertëve janë në komunikim të vazhdueshëm, për një detajim të protokolleve të sigurisë, ku përfshihen masat e distancimit social, kushtet higjeno-sanitare, si dhe çdo masë që garanton kufizimin e përhapjes së virusit. Ndaj çdo vendim për hapjen e shkollave po koordinohet me përgjegjësi maksimale nga institucionet përgjegjëse për garantimin e masave të distancimit social dhe sigurisht duke vlerësuar në dinamikë situatën epidemiologjike.
Gjithsesi niveli i rrezikut të virusit në shkolla është më i ulët, thotë ministrja e Shëndetësisë, që bën krahasimin me vatrat e nxehta të pandemise.
“Transmetimi i sëmundjes në shkolla ka qenë i rrallë dhe nëse merren masat e duhura të distancimit fizik, higjienës dhe masa të tjera, ato kanë pak gjasa që të jenë mjedise efektive të shtimit të transmetimit të virusit, më shumë se sa vendet me densitet të njëjtë të njerëzve, si psh. në vendet e punës apo vendet argëtuese”.
Në një dalje publike, Partia Demokratike akuzoi qeverinë se nuk ka ende asnjë plan masash të detajuar për fillimin e vitit të ri shkollor, nuk ka buxhet dhe nuk ka as vullnet dhe as dëshirë të zhvillojë arsimin e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë.
Tv Klan