Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Pavarësisht se shumicat e shkollave tona janë publike, nxënësit që mësojnë në to, shpesh detyrohen të paguajnë më pak dhe në një formë tjetër. Duke nisur nga 100 lekë të reja, e deri në 3 mijë lekë të reja, gati në të gjitha shkollat është kërkuar kontributi i prindërve edhe në ato private. Nga drejtorët e shkollave është menduar se duke përfshirë komunitetin, mund të arrihen të mbyllen disa mungesa në sistemin arsimor.

Kësaj shkolle duket se nuk i mungon asgjë, pas rikonstruksionit të bërë nga SOROS, por në të vërtet 800 nxënësit e saj duhet të paguajnë 3 mijë lekë të reja, për mjaft orendi. Drejtoresha e shkollës pohon dhe tregon se ku do të shkojnë këto para.

“Ne do të na duhet, që në këto ambiente të ketë bazë materiale. Kjo është një shkollë që ka dy mijë metra katror xham, kështu do na duhen detergjentë, por me furnizimin që marrim ne nuk na del. Në projektin e kësaj shkolle, ka qenë në fund të oborrit të shkollës, një projekt ku nxënësit duhet të fshinin këmbët, një projekt që kushtonte jo pak, rreth 400-500 dollarë. Pavarësisht që fondacioni që ngriti këtë shkollë, kaq arriti, atëherë na takon ne ta zhvillojmë këtë”.

Ndërsa nxënësit shprehen se mësuesja u ka kërkuar të paguajnë për rregullimin e shkollës, por gjendja e tyre ekonomike nuk është shumë e mirë dhe nuk kanë mundësi për t’i paguar. Sipas drejtorisë paratë do të administrohen nga prindërit, quhet kontribut dhe jo detyrim, por që në të vërtet tregon krizën që po kalon arsimi publik./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti