Dy punonjës policie në Gjirokastër janë ndaluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për veprën penale shpërdorim i detyrës. Ndërkohë që një polic i tretë është në kërkim pasi u arratis nga Drejtoria e Policisë Gjirokastër pak para se ta arrestonin.

Krahas 2 policëve të ndaluar, janë edhe një doganier dhe dy persona të tjerë.

Sipas AMP, të gjithë këta persona janë të përfshirë në trafikun e emigrantëve të paligjshëm, kontrabandë mallrash dhe organizim e paligjshëm të basteve sportive.

Të ndaluarit:

Kryekomisar A.K., me detyrë Shef i Sektorit të Krimit të Organizuar në DVP Gjirokastër, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Shpërdorim i autoritetit policor” kryer në bashkëpunim.

N / Komisar XH.D., me detyrë Specialist në Seksionin e Inteligjencës dhe Arkivës Kriminale, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim.

Shtetasit B.M., me detyrë doganier, niveli C2 në degën doganore Kakavijë, i dyshuar për veprave penale “Falsifikim i dokumentave” dhe “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.

Shtetasi I.M., i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” kryer në bashkëpunim.

Shtetasi K.K., i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” kryer në bashkëpunim.

NË KËRKIM

Inspektor F.O., me detyrë Trupë Shërbimi Operacional në forcën e posaçme Shqiponja, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Shpërdorim i autoritetit policor” kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet disa mujore me metoda speciale u dokumentua me prova ligjore përfshirja e shtetasve në veprën penale të trafikimit të emigrantëve të paligjshëm, favorizimin e shtetasve të ndryshëm në kontrabandimin e mallrave dhe organizimin e lojrave të fatit në formën e basteve sportive, me qëllim përfitimin në mënyrë të paligjshme të vlerave monetare.

Gjithashtu u provua se punonjësit e policisë duke shfrytëzuar funksionin organik dhe atributet që ju jep detyra, në periudha të ndryshme kanë ndikuar në lejimin e ushtrimit të aktiviteteve të paligjshme nga shtetas të ndryshëm.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një automjet tip ML dhe katër aparate celular.

/tvklan.al