Prindërit shpesh vendosen në pozitë përpara fëmijëve ku nuk dinë se çfarë gjuhe dhe qasjeje duhet të përdorin ndaj tyre për t’i bërë të kuptojnë gabimet. Psikologia Anisa Zaçe shpjegon në “Gjenerata Alfa”  nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se prindi s’duhet të  pretendojë të jetë shok me fëmijën, por të mbajë pozicionin e tij.

Sipas saj, roli si prind duhet ndërthurur me gjuhën shoqërore të komunikimit që ai përdor ndaj fëmijës.  Njëkohësisht, prindi është aty për të vendosur edhe kufirin përmes disiplinës dhe pjesëzës mohuese “jo”.

Ardit Gjebrea: Si i bëhet Anisa që ne të kujdesemi për fëmijët që ata të mos përballen me  pasojat e gabimeve se varet nga gabimi, kur themi okej duhet të gabojnë, por deri ku, sa duhet të gabojnë?

Anisa Zaçe: Atëherë, si fillim unë mendoj që ka një rregull që ne jemi rritur, të paktën brezi im me idenë që po unë dua që fëmijën tim ta kem shok, kam thënë unë dhe bashkëmoshatarët e mi.

Ardit Gjebrea: A është e mundur?

Anisa Zaçe: Nuk duhet mendoj unë.

Ardit Gjebrea: Pse?

Anisa Zaçe: Shokë do të kenë plot ata, kanë nevojë për prind. Kur flasim për shoqërinë, është diçka tjetër. pra, kur flasim kur unë zgjedh shokët dhe prindi im nuk i  pëlqen, unë do të zgjidhja të këshilloja atë prind të flasë me fëmijën e tij pse nuk i pëlqen dhe vendimi sigurisht në fund i mbetet fëmijës.

Ardit Gjebrea: Po kur të flas, do të flas si prind apo si shok?

Anisa Zaçe: Jo, si prind.

Ardit Gjebrea: Po të flas si prind, atëherë ka autoritetin t’i japë të gjitha por gjuha e shokut me fëmijën nuk funksionon?

Anisa Zaçe: Gjuha është tjetër gjë, pozicioni është tjetër gjë. Pra nëse unë zgjedh gjuhë shoqërore, jo të të them mua nuk më pëlqen ai…

Ardit Gjebrea: Atëherë bëjmë marrëveshjen e fjalës, çfarëdo të nddodhë, prindi është prind dhe fëmija është fëmijë. Këtu flasim për strategji, këtu flasim për taktikë, këtu flasim për gjuhën, mënyrën e komunikimit që ti përdor. Nëse do të përdorësh autoritetin e prindit, ndryshon gjëja. Në qoftë se ti do të futesh në piskologjinë e fëmijës dhe do t’i flasësh si shok, atëherë mendoj që është shumë më mirë sesa t’i flasësh si prind.

Anisa Zaçe: Po, këtu jemi dakord. Kur unë thashë që nuk duhet t’i bëhesh shok është që ti të vazhdosh në vazhdën e gjithë gjërave që fëmija mund të dojë të eksperimentojë apo të provojë. Unë mendoj që fëmijët kanë nevojë për disiplinë, kanë nevojë t’u thuhet jo, kanë nevojë që të mësojnë që jo gjithmonë  do të dinë ata ta zgjedhin rrugën e duhur./tvklan.al