Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Është zgjedhur teknologjia dhe vendi i gabuar ku do të ngrihet impianti i përpunimit të mbeturinave. “Boll i kemi plehrat tona” është motoja i grupimit të reagimit qytetar, që do të shpaloset me të tjera thirrje para kryeministrisë mesditën e së martës.

Për herë të parë janë përfshirë të gjithë aktorët kryesorë të OJQ-ve, të cilët kërkojnë mbështetjen e publikut, për të ndalur arbitraritetin e qeverisë ndaj ligjit. Nuk janë kundër një investimi të tillë, por nuk është respektuar transparenca, tenderi i hapur korrekt dhe opsionet e firmës nuk janë mësuar.

Xhamal Mato: “Zgjidhja nuk mund të vijë nga kthimi i Shqipërisë në një kosh për plehrat e huaja. Grupimi nuk paragjykon kompaninë në fjalë. Ne i kërkojmë qeverisë shqiptare, që të respektojë kuadrin ligjor për mjedisin dhe pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje, si një e drejtë kushtetuese”.

Sazan Guri: “Do të thotë se Shqipëria pas 10-15 vjetësh të kthehet në një furrë gjigande, që të mbledhësh disa shtete europiane perëndimore Francë, Itali, Austri, Gjermani, nuk do të djegin aq plehra, sa do djegi Shqipëria me këtë kontratë që po bëhet”.

Specialistët janë për vetëgroposje të kontrolluar, ndërsa qytetarët për një ajër të tillë.

Qytetarja: “Të mos përsëritet kombinati Metalurgjik i Elbasanit, që u sollën plehrat dhe kaloi nga një qytet shumë i pastër, në një qytet me skorje”.

Gazetarja: Pra juve si ju duket ky projekt?

Qytetarja: “Ky projekt, mirë është përpunimi i plehrave por jo për vendin tonë. Patjetër do dal nesër në miting përpara kryeministrisë, sepse ajo nuk është për  politikë është për anën tonë shëndetësore”.

Qytetari: “Nuk mund të imagjinohet që të vijnë plehrat këtu tek ne, ne pak plehra kemi në Tiranë, çfarë do bëjmë me to? Jam pjesëtar i kësaj pjesëmarrje masive që do të bëhet kundra këtij projekti shumë makabër”.

Protesta e shoqërisë civile thërret për shëndet, jo për pushtet./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti