Policia ka ndaluar një person të gjashtë të dyshuar si i përfshirë në grabitjen e parave në pistën e Rinasit më 9 Prill 2019.
Nga burime konfidenciale është mësuar se aksioni sekret i policisë ka ndodhur në zonën e Durrësit. Identifikimi dhe ndalimi i të dyshuarit të gjashtë besohet se është bërë pas dëshmisë së Alkond Bengasit, bashkëpunëtori i drejtësisë.
Personi i gjashtë i dyshuar është 50-vjeçari Ragip Hajdini nga Kosova, i cili njihet me pseudonimin “daja”. Nuk ka të dhëna nëse i Ragip Hajdini ka pasur rol direkt në grabitjen e parave në aeroport, apo ka ndihmuar grabitësit të arratisen.
Deri tani të arrestuar janë Elton Pikli, Oltjon Veseli, Alkond Bengasi, Renaldo Sula dhe Saimir Çela. Sipas deklarimeve të 34-vjeçarit Bengasi para grupit hetimor, sqarohet se çdo gje ka nisur para 6 muajsh në një drekë në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Në këtë takim kanë qenë të pranishëm Admir Murataj, Klement Çala, Eldi Çala, Talo Çela, kosovari me pseudonimin “daja”, Renaldo Sula, Saimir Çela, Oltjon Veseli dhe nje person me emrin “Tani”.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Në vijim të veprimeve të kryera nga një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes së datës 09.04.2019 në aeroportin e Rinasit, informojmë se është kapur dhe ndalur shtetasi R.H., 50 vjeç, lindur e banues në Pejë, i dyshuar si një prej autorëve të kësaj ngjarje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Renda Tiranë, për veprën penale te “Vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, “Mbajtjes pa leje të municioneve luftarake”, “Vrasje e punonjësve të policisë, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë”, parashikuar nga nenet 140 e 25 dhe 333/a,” 279, 79 b dhe 278 C, të Kodit Penal.
/tvklan.al