Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka e ka cilësuar si tepër të vështirë verdiktin e goglave për kuqezinjtë në kualifikueset e Botërorit 2026.
Në një lidhje direkte nga Zyrihu për Klan NeWs, Duka tha se ky ishte grupi i vetëm që nuk dëshironte që të ishte Shqipëria, ndërsa u shpreh se nuk është shumë i lumtur. Sipas tij, Anglia është shumë e fortë dhe me ta nuk kemi bilancet në favor.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka: Nuk jam shumë i lumtur me atë që vendosën goglat. Mund të ishim në ndonjë grup tjetër. Duhet të pranojmë atë që vendosi shorti. Pasi pashë skuadrat e para në Grupe, ky ishte grupi që nuk do doja nga të gjitha. Nuk do doja një përballje me Anglinë, sepse i konsideroj si një nga ekipet më të forta. Anglia është shumë e vështirë. Serbia është një kundërshtar me problemet e veta. Nuk kemi eksperienca të mira nga përballja në Beograd. Uroj këtë herë të jetë ndryshe.
Për trajnerin, Sylvinho përballjet do të jenë të forta dhe finale për skuadrën e tij.
Trajneri i Kombëtares, Sylvinho: Ne duhet të përballemi në garë si gjithë të tjerët. Ne dimë që është historia pas saj. Ne jemi këtu për të luajtur futboll, jemi profesionistë, për të bërë gjëra të bukura. Historia pas është shumë e rëndësishme. Ne jemi këtu për të luajtur. Shqipëria duhet ta konsiderojë çdo garë si një finale.
Kombëtarja shqiptare gjendet në grupin K së bashku me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën. Në orët e ardhshme do të përcaktohet edhe kalendari i ndeshjeve për kuqezinjtë, me fushatën që do të zgjas nga Marsi deri në Nëntor 2025.
Klan News