Performancë fantastike e futbollistëve shqiptarë në Serie B italiane. Cristian Shpendi blindon pozitat në krye të golashënuesve të kampionatit. Sulmuesi kuqezi realizoi golin e shtatë në këtë sezon, teksa i dha fitoren minimale 1-0 Cezenës kundër Sudtirolit. Gol me tepër peshë, duke e kurorëzuar 21-vjeçarin shqiptar si më të mirin në fushën e lojës. Mediat italiane e vlerësuan me notën 7.5, ndërsa forma e tij në këtë sfidë shoqërohet me fjalët: Më i rrezikshmi i skuadrës së tij. “Si një zog grabitqar, Shpendi shënoi në krosimin e përsosur të shokut të skuadrës”, është komenti i tyre për lojtarin shqiptar.

Formë të mirë edhe nga ana e Elhan Kastratit. Portieri ishte i jashtëzakonshëm në fitoren që Sitadela mori në fushën e Palermos. Kastrati tregoi siguri në kuadrat, duke neutralizuar disa goditje të kundërshtarëve, madje dha kontribut të rëndësishëm në marrjen e 3 pikëve.

Me notën 7.5 u vlerësua edhe 27-vjeçari, i cili bëri mrekullinë në minutat e fundit për të shmangur pësimin e një goli që ndoshta do të përkthehej në vetëm një pikë për Sitadelën. Kastrati është zgjedhje e dytë në kombëtaren shqiptare për portën, me trajnerin Silvinjo që pritet ta ketë sërish në dispozicion për sfidat e nëntorit.

Klan News