Shqetësimi i ngritur nga zyra për mbrojtjen konsumatorëve lidhur me botimin e programeve mësimore të cilat nxisin një formim të papërshtatshëm gjinor për fëmijët, ka mbërritur në komisionet parlamentare.

Kreu i kësaj zyre Altin Goxhaj ka dorëzuar dosjen me setin komplet të botimeve të cilat pretendohet se nxisin ndryshimin e preferencave seksuale te fëmijët.

Altin Goxhaj: “Është një program  i cili ne gjykojmë në kushtet që është bërë pa lejen e Ministrisë së Arsimit dhe pa konsultën e prindërve shqiptarë jep një edukim të çuditshëm për fëmijët, për djemtë e vegjël duke kërkuar që ata të zbulojnë nga ana e tyre femërore, duke u organizuar teste, detyra shtëpie, lojëra dhe influencime gjinore ku ata të krijojnë një krizë identiteti gjinor. Unë këtë material e kam marrë nga mësues shqiptar që janë trajnuar.”

Lidhur me këtë ka reaguar dhe deputetja e PD, Mesila Doda e cila është shprehur e gatshme për shqyrtimin e këtyre manualeve.

Mesila Doda: “Sigurisht që ne kemi nevojë për një shoqëri të emancipuar, kemi nevojë për një shoqëri që ku rriten bashkë vajza dhe djali, kemi nevojë për një shoqëri ku respektohet vajza dhe djali si dy qenie që janë krijuar të barabarta në dinjitetin e Zotit, por kemi nevojë po ashtu që të vazhdojmë të rrisim një shoqëri e cila respekton ligjet e Zotit mbi tokë. Por kurrsesi të mundemi të kërkojmë me dhunë, të kërkojmë me anë të një edukimi të keq, me anë të një edukimi pervers ndoshta të shkëmbejmë rolet.”

Manualet janë publikuar nga qendra Aleanca gjinore për zhvillim me një financim të ambasadës suedeze.

Ato shërbejnë për mësuesit e klasës fillore në formën e trajnimeve se si duhet të zhvillohet mësimdhënia.

Sakaq Ministria e Arsimit ende nuk ka dalë me një prononcim zyrtar lidhur me aprovimin apo shpërndarjen e tyre në shkolla./tvklan.al