Kryetari i Partisë Demokristiane në Malësinë e Madhe, Aleksandër Keka, gjen vdekjen pas një shpërthimi në automjetin e tij.
Në orën 09:45 në vendin e quajtur Grishë, në aksin rrugor Koplik-Shkodër, dëshmitarë okularë kanë parë mjetin Mitsubishi me targa Shkodre të shpërthejë në ecje.
Automjeti ka dalë nga rruga, ndërsa drejtuesi ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Aleksandër Keka, i moshës 34 vjeçe, lindur dhe banues në komunën Kastrat në Malësi të Madhe qarkullonte me një automjet, i cili sipas policisë nuk ishte në pronësi të tij.
Policia bëri të ditur se ka ngritur menjëherë strukturat për hetimin e ngjarjes, por akoma nuk ka dhënë një pistë konkrete të motiveve të kësaj ngjarje.
Klodian Branko: “Për hetimin e kësaj ngjarje janë angazhuar ekspertët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ekspertët e laboratorit qendror kriminalistik, ekspertë të njësisë anti-eksploziv e të tjerë nën drejtimin e prokurorisë së rrethit gjyqësor Shkodër. Po vazhdojnë hetimet intensive për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje. Duhet theksuar se shtetasi Aleksandër Keka prej vitesh është evidencuar nga strukturat e policisë lokale e qendrore si person me precedent të theksuar kriminal me tendencë trafikun e lëndëve narkotike, trafikun e mjeteve motorike, si dhe trafikimin e lëndëve plasëse me telekomandë. Mbi ecurinë e hetimeve të kësaj ngjarje do t’u njoftojmë në orët e mëvonshme”./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani