Banorët e fshatit Verri në Fier janë përfshirë nga paniku mbrëmjen e kaluar dhe sot në mëngjes si pasojë e shpërthimit të gazit në pusin “Bubullima 29” që ndodhet 300 metra larg shtëpive të këtij fshati.

Për fat si pasojë e daljes së gazit në sipërfaqe nuk ka pasur të dëmtuar, por mësohet të jetë ndotur me naftë rreth 3 hektarë tokë përreth.

Pusi “Bubullima 29” prej vitesh i përkiste fondit të ndaluar të kompanisë “AlbPetrol” dhe është aktivizuar papritur me daljen në sipërfaqe të një rryme gazi të fuqishme në formë fontane.

Intensiteti i daljes së gazit ka zgjatur rreth 4 orë, por është aktivizuar përsëri sot në mëngjes me një intensitet më të ulët.

Sipas banorëve të zonës zhurma tepër e madhe në momentin e shpërthimit i ka bërë ata të dalin jashtë.

Dalja e gazit ka shkaktuar dhe zhurmën shurdhuese dhe era e gazit është përhapur jo vetëm në këtë fshat, por edhe në fshatrat e Lushnjës në kufi me zonën e shpërthimit.

Ndërkohë specialistët e AlbPetrolit dhe ata të shërbimit të zonës së naftës së Verrisë kanë mbërritur në afërsi të vendit të ngjarjes pasi errësira dhe era e gazit nuk i ka lejuar t’i afroheshin pusit të riaktivizuar.

Specialistët po punojnë sot për të neutralizuar daljen e gazit dhe për marrjen e masave teknike që ky pus të mbyllet.

Ky është pusi i dytë i fondit të ndalur që ka shpërthyer në këtë kompani. Shpërthimi i pusit të parë ka ndodhur para dy muajsh në Zharrëz të Fierit ku pati probleme në frymëmarrjen e disa banorëve, të cilët u shtruan në spital si dhe ndotje të mjedisit.

Puset e fondit të ndalur janë konsideruar ato puse të cilat nuk kanë më prodhim dhe për pasojë mbyllen.

Këto puse mund të riaktivizohen në një periudhë të vonshme si në rastin e puseve në Verri dhe Zharrëz të Fierit./tvklan.al