Shpërthimi i gazit në fshatin Lapardha të Beratit që i kushtoi jetën një vajze 9-vjeçare ka rikthyer edhe një herë në vëmendje shqetësimin për kushtet në të cilat shitet gazi i lëngshëm.

Nga një vëzhgim në disa rrethe konstatuam se situata mbetet alarmante. Në Durrës numri i subjekteve të palicencuara është tepër i madh.

Në degën e tatim-taksave mësojmë se janë të pajisur me licencë vetëm dhjetë subjekte që plotësojnë parametrat teknikë.

Shkëlqim Sula: “Numri është shumë i madh i këtyre subjekteve që përveç gazit kanë tregtuar dhe produkte të tjera. Ky është një fenomen i përhapur, jo vetëm në qytetin tonë, por edhe në të Shqipërinë. Ne po përpiqemi me të gjithë forcat që me sektorin e masave e shtrënguese dhe me inspektorët e kontrollit të ushtrojmë kontrolle me qëllim që të mos t’iu lejojmë këtyre subjekteve të tregtojnë gazin bashkë me produktet e tjera.”

Në Korçë në pikat e tregtimit të gazit të lëngshëm edhe pse nuk janë të pajisura me licencën e sigurisë teknike vazhdojnë ushtrimin e aktivitetit të pashqetësuar nga askush.

Këto njësi nuk lejohet të shesin gaz për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë. Siç duket edhe nga pamjet ato jo vetëm që janë në katet e para të pallateve, por nuk kanë dalje nga mbrapa dhe sistem ajrimi.

Edhe në Lushnje tregtimi i gazit bëhet në pikat e shitjes së mallrave ushqimore. Nga kontrollet e kryera shumë subjekte kanë rezultuar të pa pajisur me licencë, por kjo nuk e ka penguar aktivitetin e tyre.

“Vështirë është. Është shumë frikë”.

“Kur s’janë të licencuara, dmth, gjithmonë është një rrezik sepse pakujdesia bën që ato të kanoset rrezik për ne”.

Dy prindërit e vajzës 9-vjeçare që morën djegie të rënda dy ditë më parë pritet të çohen për kurim jashtë vendit për shkak të gjendjes së rëndë./tvklan.al