Fushata e bombardimeve izraelite ishte tepër intensive gjatë kësaj të Premteje në gjithë Libanin, por veçanërisht në Bejrut. Ky shpërthim gjigant ndodhi në pak para mesnatës mes të Enjtes dhe të Premtes në Bejrut, në lagjen Dahieh pranë aeroportit, e njohur si bastion i Hezbollahut.
Në atë zonë dyshohet se fshihet Hashem Safiedin, kushëriri i Hasan Nasrallahut, udhëheqësit të vrarë të Hezbollahut nga një sulm më 27 Shtator në të njëjtin vend. Ai konsiderohet si pasardhës i Nasrallahut në krye të organizatës, por nuk ka të dhëna për fatin e tij.
Mediat izraelite bëjnë të ditur se ai ka vdekur. Ushtria izraelite thotë se që prej nisjes së ofensivës tokësore në Liban ka vrarë mbi 250 operativë të Hezbollahut.
180 raketa u lëshuan nga Izraeli drejt Libanit, ndërsa Tev Avivi thotë se u lëshuan 70 të tilla nga forcat e Hezbollahut.
Ndërsa në Teheran, Ajatollahu Ali Kamenei drejtoi faljen e të Premtes në xhaminë e madhe, që shërbeu edhe si homazh për liderin e vrarë të Hezbollahut Hasan Nasrallah. Kamenei tha se sulmi iranian ndaj Izraelit ishte ndëshkimi më i vogël që mund t’i jepej Izraelit. Hera e fundit që Kamenei ka drejtuar një falje të së Premtes, ka qenë në 2020-ën në nderim të komandantit të Gardës Revolucionare, Kasem Sulejmani të vrarë në një sulm të ushtrisë amerikane.
Sakaq presidenti amerikan Joe Biden foli sërish mbi kundërpërgjigjen e Izraelit ndaj Iranit për sulmin me raketa të 1 Tetorit.
Ai tha se ende nuk ka folur me kryeministrin Netanjahu për natyrën e sulmit, por se do të preferonte forma të tjera përveç goditjes së rafinerive të naftës në Iran.
Tv Klan