Akuzohet për shkelje të kushteve të sigurisë
4 ditë pas shpërthimit në Lushnjë, ku humbën jetën Roland e Elidon Hoxha, babë e bir dhe u plagosën 7 të tjerë policia ka vënë në pranga biznesmenin e ndërtimit, Leonard Gjini.
Ky i fundit sipas uniformave blu ka rezultuar personi që kishte nënshkruar kontratë me deputetin socialist, Bujar Çela për ndërtimin e kapanonit, por nuk ka zbatuar kushtet e sigurisë.
“Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplinës teknike të mbrojtjes në punë dhe nuk ka marrë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda”, tha policia.
Vetë sipërmarrësi në dëshminë e dhënë fill pas ngjarjes ka pranuar faktin se ishte kontraktuar për ndërtimin e kapanonit, por ka shtuar se nuk ka nisur ende punën pasi ka qenë në pritje të lirimit të objektit.
Gjithashtu ai ka deklaruar se nuk ka dijeni për punimet që kryheshin pasi nuk ka dërguar asnjë punonjës në objekt.
Krahas biznesmenit Leonard Gjini, policia dhe prokuroria e Fierit vijojnë hetimet dhe për dy vepra të tjera penale, konkretisht për shkatërrim të pronës nga pakujdesia dhe Ndërtimit të paligjshëm.
Kjo e fundit u konstatua pas shpërthimit, ku rezultoi se në magazina ishte tejkaluar leja e ndërtimit miratuar nga bashkia Lushnje në shtator të 2023.
Tv Klan