Lajme Arkiva 2003

Vizita e djeshme e Presidentit të Republikës në policinë e shtetit rihap debatin te politikanët nëse uniformat blu garantojnë apo jo zgjedhje të lira.

Shpëtim Roqi: Faktet kanë treguar krejt të kundërtën, që policia në gjithë këto zgjedhje problematike që ka zhvilluar Shqipëria, ka qenë pjesë e manipulimit. Dhe unë nuk besoj se nga dje sot, Hasani të bëhet Hysen, pra ai i polizituari, të bëhet i depolitizuar. Kjo ka ndodhur gjithmonë sepse politika e ka përdorur, pra duhet të jetë politika ajo që duhet të marrë përgjegjësi dhe jo policia.

Dashamir Shehu: Realiteti është se policia është e implikuar. Unë shpresoj që këtë radhë të ndryshojë, por uroj dhe do të këshilloja edhe kolegët e policisë, që sa më larg tu rrinë zgjedhjeve aq më e gjatë është karriera e tyre, ky është realiteti. Megjithatë ndonjë besim të madh nuk kam sepse thash është eksperienca e deri më sotme ka treguar se shpesh herë policia është ngatërruar. Jo vetë me dëshirën e vetë policët, ata janë të bindur se duhet të qëndrojnë larg, por nga influenca politike nga sipër.

Sipas kreut të Komisionit Parlamentar për Rendin dhe Shërbimin Informativ Shtetëror, Neritan Ceka, kodi zgjedhor nuk mund të garantoj sërish zgjedhje të lira dhe demokratike.

Neritan Ceka: Krijon një mangësi të dukshme në punën e policisë për mbrojtjen e kutive të votimit, mbulimin e tyre. Janë rreth 4000 kuti votimi, ndërkohë që ne kemi rreth 11.500 policë nga të cilët gjysma përjashtohen sipas kodit, sepse përjashtohet policia kufitare, nuk e di për arsye, policia e trafikut që duhet të ishte patjetër se mund të transportonte kuti. E vetmja zgjidhje do të jetë në qoftë se Këshilli i ministrave me konsensusin e Pozitës edhe opozitës merr një vendim në formën e një dekret ligji i vili pastaj, pasi ka realizuar detyrat sepse ai hyn në fuqi menjëherë, miratohet nga parlamenti, pas mbledhjes së tij në përfundim të zgjedhjeve.

Edhe qeveria ka reaguar menjëherë pas deklaratës së djeshme të Presidentit të Republikës. Nëpërmjet një urdhri të posaçëm, kryeministri u ka kërkuar ministrave dhe të gjitha institucioneve të tjera të administratës publike, që gjatë procesit elektoral të veprojë në përputhje me kushtetutën, kodin zgjedhor dhe me mendimet dhe udhëzimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Aldrin Dalipi: Në emër të kryeministrit dhe të qeverisë siguroj të gjithë faktorët pjesëmarrës së këtë proces zgjedhor, duke përfshirë edhe publikun se edhe në të ardhmen ne do të vazhdojmë të jemi të angazhuar për të respektuar institucionin e rëndësishëm të zgjedhjeve si garanci për të ecur përpara në rrugën e progresit dhe forcimin e demokracisë në Shqipëri, në rrugën e reformave integruese drejt strukturave euroatlantike./tvklan.al