Lotaria amerikane është një nga mundësitë për të prekur ëndrrën që hap dyert drejt mundësive të reja. Për këtë vit u shpallën edhe fituesit të cilët janë në pritje të fazës së dytë. Programi “Shije Shtëpie” në Tv Klan zhvilloi një bisedë me fitues të lotarisë amerikane apo persona që ia kanë dalë të ndërtojnë me mund ëndrrën e tyre përtej oqeanit.
Ana Paloka, një parukiere në Nju-Jork thotë se ka aplikuar vazhdimisht për lotarinë amerikane, por nuk fitoi kurrë. “Shpirti më doli, lotaria amerikane nuk më doli kurrë”, u shpreh ajo gjatë bisedës e megjithatë arriti të shkonte me vizë studenti. Në atë periudhë, ajo studionte në Mjekësi dhe pasi gjetu universitetin në Nju-Jork ku u pranua, shkoi në Amerikë. Ana kujton momentet e vështira të fillimit që ka ndeshur me jetën e saj të re.
Ana Paloka: Jeta këtu është krejt ndryshe, do ia nisësh nga zero, do bësh punë nga më elementaret që nuk ke menduar kurrë se do i bësh një ditë, nga restoranti, hostess, kamariere, gjë që ndoshta në Shqipëri nuk i kemi bërë, por këtu normale fillon prej te zeroja. Do thosha që vështirësi ka patur pafund, por njeriu u mësoka të bëjë një punë me orë të gjata, njeriu u mësoka të bëjë dy punë, njeriu u mësoka të shkojë në shkollë, pas shkolle të shkojë në shtëpi, të bëjë detyrat, të mësojë, por realisht njeriu nuk u mësoka të festojë ditëlindjet vetëm, të festojë Krishtlindjet, pa familjen, Bajramin, Pashkët kështu që do të thoja që pjesa më e vështirë për mua ka qenë pjesa e familjes që kam tani 7 vjet larg. Njeriu mësohet me gjithçka, por pa prezencën e tyre, nuk u mësoka. Kjo ka qenë për mua pjesa më e vështirë.
Ana bëri edhe një krahasim mes Shqipërisë e Amerikës, çfarë mungon dhe çfarë jo te secila prej tyre.
Ana Paloka: Unë mendoj që Amerika ka mundësi pafund që të bësh një jetë siç do, të punosh jo se në Shqipëri nuk mundesh të punosh, mos më keqkuptoni se edhe në Shqipëri mund të punosh, por unë realisht e kam gjetur veten shumë në Amerikë. Qëkur kam ardhur, në 2-3 muajt e parë jam përshtatur shumë dhe më dukej vetja sikur kisha nja 7-8 vjet këtu. Ndoshta është edhe kjo gjëja që kur ti e ke diçka me dëshirë shumë të madhe, me zell, sado e vështirë të jetë ty të duket shumë më kollaj. Çfarë ka Shqipëria që nuk e ka Amerika është dashuria që të japin njerëzit, energjia e mirë që ti me këdo që rri, kënaqesh pafund. Këtu ndoshta nuk kemi kohë a nuk e di, por nuk është ajo kafja, dreka apo darka siç e ha në Shqipëri./tvklan.al