15-vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka bërë bashkë politikanë dhe ushtarakë në konferencën e organizuar nga The Albanian Policy Center, Këshilli i Atlantikut në Shqipëri dhe Southeast European Security Center.
Ish-ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu tregoi detaje nga puna e bërë deri në anëtarësimin zyrtar të vendit tonë në Aleancë në vitin 2009. Në konferencën “Shqipëria 15 vjet në NATO-Kërcënime të Sigurisë në Ballkan”, ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj u kthye pas në kohë, duke sjellë në vëmendje përpjekjet e para për të qenë pjesë e NATO.
Gjenerali amerikan Jim Jones, ish-Komandanti Suprem i NATO-s në vitet 2003-2006 dhe ish-këshilltar i sigurisë kombëtare i SHBA 2009- 2010, theksoi sfidat me të cilat po përballet Aleanca. Ai shtoi se Amerika duhet të rrisë prezencën e saj në Ballkanin Perëndimor.
Shqipëria u pranua në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut në Qershor të vitit 1992, ndërsa anëtarësimi me të drejta të plota në NATO u realizua më 1 Prill të vitit 2009.
Tv Klan