Shqipëria dhe Gjermania nënshkruajnë dy marrëveshje të rëndësishme për ekonominë e vendit tonë.

Në ditën e dytë të vizitës së kryeministrit Berisha në Gjermani është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve tona, si dhe marrëveshja midis Shqipërisë dhe bankës shtetërore gjermane për rindërtim, KfW.

Këto dy marrëveshje parashikojnë akordimin e një shume prej 30 milion eurosh, të cilat do të shërbejnë për projekte të financimit të biznesit të vogël si dhe të kanalizimeve të ujërave të zeza në rrethin e Korçës.

Duke shprehur mirënjohje për këtë mbështetje të qeverisë gjermane për ekonominë shqiptare, kryeministri Berisha siguroi se investitorët gjermanë janë të mirëpritur në Shqipëri dhe do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë.

Në këtë kuadër kryeministri theksoi se qeveria po ndërmerr reforma të thella në ekonomi dhe në sistemin fiskal si dhe një luftë të fuqishme kundër korrupsionit në mënyrë që vendi ynë të ketë një klimë sa më të favorshme për investimet gjermane dhe ato të huaja në përgjithësi.

Presidenti për Evropën i grupit bankar KfW, zoti Roland, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje përshëndeti suksesin e qeverisë shqiptare me reformat dhe progresin e shkëlqyer të ekonomisë duke u shprehur i kënaqur që nënshkrimi po bëhet në 20-vjetorin e bashkëpunimit ekonomik për zhvillim midis Shqipërisë dhe Gjermanisë.

Jam i bindur, tha zoti Roland, se ky fond prej 30 milion eurosh së bashku me fondin prej 90 milion eurosh që qeveria gjermane i ka akorduar Shqipërisë për projektin në infrastrukturën energjetike dhe linjat e interkonjeksionit me Kosovën do të sjellin edhe më shumë ndryshim, zhvillim, punësim dhe ide në Shqipërinë mike.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme kryeministri ka zhvilluar një takim dhe me sekretarin parlamentar në Ministrinë e Ekonomisë dhe Teknologjisë, zotin Hartmut Schauerte.

Ky i fundit u shpreh për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve duke u nisur nga fakti se Shqipëria ka potenciale të mëdha në shumë fusha.

Nga ana e tij kryeministri Berisha shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e thellë për ndihmën e madhe dhe të gjithanshme ekonomike prej rreth 700 milion eurosh, më të lartën për frymë që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë në këto vite.

Kryeministri ka zhvilluar dhe një takim me komunitetin e biznesit të Hamburgut ku merrnin pjesë përfaqësues të korporatave më të mëdha të biznesit të Hamburgut, por dhe përfaqësues të kompanive mediatike gjermane./tvklan.al