Pas 2 vitesh pritje, më në fund ka një datë për Konferencën e Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian. Ambasadorët e vendeve anëtare miratuan të mërkurën në mënyrë unanime raportin e firmosur nga të gjithë vendet anëtare, ku thuhet se Shqipëria ka përmbushur të gjitha parakushtet e vendosura nga BE për hapjen e grupit të parë të kapitujve të negocimit dhe vendosën që Konferenca e Dytë Ndërqeveritare të mbahet më 15 Tetor në Bruksel.
Komisioni Europian, në Dhjetor të vitit të shkuar, i cilësoi të përmbushura standardet nga Shqipëria dhe e rekomandoi nisjen e negocimit për kapitujt e parë, por për 9 muaj ajo u pengua nga Greqia. Kjo e fundit vuri si kusht lirimin nga burgu të Fredi Belerit. Zgjedhja e tij eurodeputet nga Greqia dhe lirimi para kohe nga burgu, duket se e ka zbutur Micotaqisin dhe dje ambasadori grek votoi së bashku me përfaqësuesit e të gjithë vendeve anëtare që të miratohet një datë për Konferencën e Dytë Ndërqeveritare.
Kapitulli i parë, i njohur si Thelbësori që do të negociohet, lidhen me Prokurimin, Statistikat, Gjyqësorin dhe të Drejtat Themelore, Drejtësia, Liria dhe Siguria dhe Kontrolli Financiar. Praktika e Komisionit Europian është e tillë që kapitulli me të cilën nisin negociatat do të jetë i fundit që do të përmbyllet. Parakushtet për hapjen e negociatave për grupin 1 me Shqipërinë përfshinin miratimin e një Udhërrëfyesi për Sundimin e Ligjit dhe të një Udhërrëfyesi për Reformat e Administratës Publike.
Tv Klan