Pas plot 1 dekade nga marrja e statusit të vendit kandidat, Shqipëria u ul këtë të martë në Luksemburg për të nisur negociatat faktike për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian.
Kryeministri Rama, që kryesonte ekipin negociues, e cilëson padyshim një arritje historike për vendin, ndërkohë që ka të qartë dhe afatin e hapit të fundit të këtij procesi, që e tha që në hyrje të Konferencës së Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE.
“Ne do ta bëjmë gati Shqipërinë deri në vitin 2030. Për ne nuk ka rrugë tjetër, nuk ka vend tjetër, nuk ka të ardhme tjetër dhe diçka që të gjithë duhet ta kuptojnë. Kur shqiptarët bien në dashuri, nuk i ndal dot kush”.
Anëtarësimi brenda kësaj dekade është afat objektiv dhe për Komisionerin e Zgjerimit Oliver Varhelyi, i cili e mbyll mandatin e tij muajn e ardhshëm me këtë arritje të rëndësishme për Shqipërinë, për të cilën ai dhe vendi i tij Hungaria patën një rol jo të vogël që të ndodhte këtë Vjeshtë.
“Shqipëria kurrë nuk është stepur të bëjë çdo gjë të nevojshme në rrugëtimin e saj drejt BE-së dhe shpresoj që kjo të vazhdojë sepse nëse kjo vazhdon, Shqipëria mund ta përgatisë veten për t’u bërë anëtare në fund të mandatit të ardhshëm”.
Një tjetër hungarez, ministri i Punëve të Jashtme, vendi i të cilit ka presidencën e radhës së Bashkimit Europian, mendon po ashtu se Shqipëria është në këtë stacion të integrimit me meritë. Ai pranon se unioni ka qenë herë pas here i padrejtë në këtë procss me vendin tonë.
“Shumica e shteteve anëtare zakonisht shprehen se zgjerimi duhet të jetë një proces mbështetur në merita dhe meritat janë qartësisht nëqoftëse do të shihnim arritjet e Shqipërisë gjatë viteve të fundit, qofshin në ekonomi, në politikë, në çështje sociale është e dukshme që meritat janë të pranishme”.
Vetë Kryeministri edhe në këtë ditë vlerësimi nga komuniteti europian, nuk do të anashkalojë atë që iu desh të kalojë Shqipërisë, e cila për arsye që nuk lidheshin me ecurinë, u bllokua disa vite rresht nga Këshilli Europian.
“Tri herë, tri herë njëra pas tjetrës u poshtëruam. Ishim gati. Komisioni tha që ishim gati dhe pastaj dinamikat, siç e përmendi Peter, brenda dyerve, pas dyerve të mbyllura, ishin të tilla që tri herë ne u poshtëruam, por ajo çfarë s’të vret, të bën më të fortë dhe ja ku jemi sot këtu”.
Edhe kryediplomati hungarez, vendi i të cilit është anëtar prej 20 vitesh, pranon se qëndrimet e Bashkimit Europian nuk janë gjithmonë ato që shfaqen përpara kamerave.
“Në qoftë se do të më duhet të emërtoj hapësirën ku hipokrizia është në krye në BE, atëherë zgjerimi do të ishte një prej tyre, sepse tjetër flasin kolegët e mi përpara audiencës, tjetër midis tyre dhe për fat të keq, më duhet të them që disa prej tyre nuk thonë të njëjtën gjë pas dyerve të mbyllura e përpara”.
Ashtu si 2 vite më parë, Rama ndan të njëjtin qëndrim për Bullgarinë dhe VETO-n e saj për Maqedoninë e Veriut që mbajti peng për disa muaj dhe Shqipërinë.
“Më duhet të them që ndihemi vërtetë të trishtë, e them me sinqeritet këtë gjë që vëllezërit tanë të Maqedonisë së Veriut ende nuk kanë qenë në gjendje të hyjnë në këtë fazë të procesit.
Ndaj, kur flas për poshtërimet tona, ndihem njëfarësoj pak në siklet sepse më duhet të mendoj për poshtërimin e Maqedonisë së Veriut. Ajo ndryshoi madje dhe emrin që të mundte ta niste këtë gjë. Kështu që po, i qëndroj gjithçkaje që kam thënë për miqtë tanë bullgarë sepse historia nuk mund të jetë arsye për të ndalur bisedimet e anëtarësimit për asnjë vend.
Pikëpamje të ndryshme se kush ishte nëna e heroit kombëtar dhe me kë bëri dashuri ajo apo cili ishte identiteti biometrik në atë kohë dhe me kë kishin lidhje kur vendosën të bënin dashuri janë tema shumë, shumë interesante për historianët, por nuk mendoj se janë pjesë e gjithçkaje që na lidh për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian”.
Gjithsesi ajo që do të ndodhë pas ditës së sotme e gjatë gjithë procesit të negociatave, Rama e cilëson si një proces shtetformues që nuk çon Shqipërinë dhe shqiptarët në dyert e BE, por e sjell unionin në Shqipëri.
“Të na ndalosh të ecim përpara me bisedimet duke vënë përpara, duke sjellë pretendime dypalëshe apo duke na vënë në shërbim të zgjedhjeve në vendet anëtare të Bashkimit Europian është të na ndalësh oksigjenin, të na ndalësh dijet që vijnë nga kjo ndërtesë, nga ky kompleks institucionesh që do të thotë dije sesi të ndërtojmë institucionet, sesi të bëjmë reformat, sesi të sigurohemi që vlerat, parimet, standardet të mishërohen në mënyrën sesi funksionon shteti. Nuk duam që Shqipëria të largohet, të marrë çantat dhe të vijë në Bruksel. Duam që Bashkimi Europian të jetë në Shqipëri. Ajo që duam të përfundojmë, të ndërtojmë Europën në Shqipëri”.
Shqipëria është i pari vend kandidat që do të nisë procesin e negocimit me metodologjinë e re të negociatave të anëtarësimit, e cila u propozua nga Franca dhe u miratua në 2020.
Gjatë Konferencës së Dytë Ndërqeveritare, grupi negociator nisi diskutimet për 4 kapitujt:
Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore
Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria
Kapitulli 5 – Prokurimi publik
Kapitulli 18 – Statistikat
Si dhe për 3 kriteret; atë të Funksionimit të institucioneve demokratike, reforma e administratës publike dhe kriteret ekonomike.
Janë plot 35 kapituj për të cilat çdo vend kandidat duhet të bëjë përafrimin e plotë të legjislacionit të tij me atë të Bashkimit Eurpian, zbatimin e tij, si dhe zbatimin e reformave të tjera ligjore, politike, ekonomike, administrative dhe reformave të tjera në mënyrë që gjithe procesi të cilësohet si i përmbushur sa i takon kritereve dhe të meritojë anëtarësim në BE.
Tv Klan