Pjesëmarrja e Shqipërisë në panairin ndërkombëtar të Turizmit në Berlinit edhe këtë vit ngjalli interesin e mjaft operatorëve turistik dhe vizitorëve nga pothuaj gjithë bota. Në këtë panair ku ishin të pranishëm mbi 250 vende, Shqipëria u prezantua nga Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe ministria e Turizmit.

Stenda e vendosur në hapësirën rezervuar vendit tonë bazohej tek elementët arkeologjik të Butrintit, shkallët e teatrit antik dhe kolonat. Në dy banak prej druri të vendosur në anët hyrëse të stendës, 12 operatorë turistikë zhvilluan takime me biznese dhe prezantuan materialet e tyre promocionale. Gjithashtu të dhëna më të hollësishme për turizmin e ndryshëm që zhvillohet në vendin tonë shpërndau stafi i Agjencisë Kombëtare të Turizmit përmes materialeve promocionale dhe informuese në gjuhën angleze.

Prezantimi i resorteve shqiptare u ndoq edhe me  anë të 2 plazmave televizive si spoti i 40 haneve dhe të tjera të prodhuara nga agjencia kombëtare e Turizmit e të transmetuara në media të ndryshme. Por ç’ka tërhoqi vëmendjen e vizitorëve ishin vallet popullore nga treva të ndryshme të Shqipërisë që u performuan nga valltarët Helga Saraçi dhe Genc Kastrati.

Në ditën e fundit të panairit të Turizmit në Berlin, media të ndryshme dhe sidomos ajo gjermane treguan interes gjatë konferencës për shtyp. I ngarkuari me punë i Shqipërisë në Gjermani, zoti Gazmend Barbulushi i bëri thirrje biznesit gjerman të investojë në Shqipëri.

Gazmend Barbulushi:Nga statistikat që disponojmë, numri i gjermanëve që kanë zgjedhur vendin për ta vizituar është rritur progresivisht. Dëshira jonë është që interesi i gjermanëve në përgjithsi të rritet dhe më tepër. Investitorët gjerman janë shumë të respektuar dhe do të gjejnë në dyer të hapura për të ardhur në Shqipëri dhe për të fituar.”

Nada Kallçiu:Ajo që ishte shumë e rëndësishme këtë vit ishte që pjesëmarrja jonë bashkë me biznesin, si dhe vitet e tjera, por sivjet biznesi ka pasur më shuam kërkesë për sa i përket informacionit për turizmin në Shqipëri. Sot kishim dhe konferencën për shtyp. Gjatë konferencës për shtyp, interesi ishte i jashtëzakonshëm për Shqipërinë, pyetjet ishin të shumta dhe gjithashtu morëm një feedback për sa i përket rritjes së numrit të turizmit për Shqipërinë.”

Për herë të parë në panairin e Turizmit në Berlin mori pjese edhe Kosova si shteti më i ri i Evropës, duke ju bashkuar qindra kulturave e traditave që e shndërruan Berlinin për disa ditë në kryeqytetin e botës./tvklan.al

Gazetare: Daniela Kosotandini

Operator: Klodian Keçi