The Economist: Lë pas disa vende të rajonit dhe të BE

Shqipëria renditet në vendin e 39 për sigurinë shëndetësore, nga 195 vende të botës të marra në shqyrtim. Në Indeksin e Sigurisë në Shëndet, publikuar nga revista prestigjioze “The Economist”, Shqipëria ka shënuar 52.9 pikë, duke lënë pas disa vende të rajonit dhe Turqinë.

Pikët më të larta, vendi ynë i ka marrë në zbulimin e hershëm të sëmundjeve dhe raportimin e epidemive. E vlerësuar me 74.4 pikë, Shqipëria renditet në vendin e 25-të, në një pozicion më të mirë se disa vende të Bashkimit Europian, si Austria e Kroacia.

Shqipëria vlerësohet mbi mesataren botërore, edhe për sa i përket përballimit të emergjencave shëndetësore, duke shënuar 52 pikë, krahasuar me 34 që është mesatarja.

Pikët më të ulëta i ka shënuar në vlerësimin për kapacitetin e klinikave, spitaleve dhe qendrave shëndetësore, duke marrë një total prej 35.9 pikë, nga 59 që është mesatarja botërore.

Vlerësim më të ulët se mesatarja ka në infrastrukturën e përshtatshme shëndetësore dhe parandalimin e sëmundjeve.

Në Europë, Shqipëria renditet e 24 nga 43 vende dhe është në një grup së bashku me vende si Greqia, Kroacia, Turqia, Serbia, Gjeorgjia dhe Republika Çeke.

Sipas Indeksit, vendi më i përgatitur në botë për të përballuar situata të paparashikuara shëndetësore janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa më pak të përgatitura janë vendet e Afrikës.

Tv Klan