Sali Berisha: “This is a miracle of freedom.”
Shqipëria shënon plot një vit prej anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Në 4 Prill të vitit 2009 u përmbush një aspiratë shumëvjeçare e shqiptarëve dhe mbërritja deri këtu do të ishte e vështirë, plot sfida që do të kërkonin reforma të gjithanshme, jo vetëm të karakterit ushtarak.
Edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, do të citonte pikërisht reformat si kushtin kryesor që solli Shqipërinë dhe Kroacinë të ulen me vendet e tjera të NATO-s si anëtare me të drejta të plota.
Barack Obama: “Mirë se vini në NATO! Është e rëndësishme për të theksuar se Shqipëria dhe Kroacia kanë bërë shumë gjëra të mëdha e domethënëse në emër të Aleancës. Jemi gjithashtu krenarë që ju kemi aleatë. Urime për progresin dhe reformat e kryera që ju sollën në këtë pikë. Të dy vendet kanë arritur shumë. Vazhdimi në këtë rrugë do ju sjellë më afër në rrugën e integrimit euroatlantik”.
Ende në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës, e cila festonte 60-vjetorin e krijimit të saj, Jaap de Hoop Scheffer do të përshëndeste anëtarësimin e plotë të Shqipërisë dhe Kroacisë.
Jaap de Hoop Scheffer: “Presidentët Topi dhe Mesiç, kryeministrat Berisha dhe Sanader anëtarësimi i vendeve tuaja në aleancë është një rezultat i një pune disavjeçare e të vështirë, gjatë të cilave keni treguar përkushtimin për të përfunduar reformat e domosdoshme. Shqipëri dhe Kroaci ju e keni merituar më së miri vendin tuaj në këtë tryezë dhe jeni të mirëpritur mes nesh”.
Dorëzimi i protokollit të anëtarësimit, firmosur në 1 Prill 2009 në Uashington, autoriteteve më të larta të Shqipërisë dhe Kroacisë, do të finalizonte zgjerimin e aleancës edhe me dy anëtarë të rinj, një moment që kryetari i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, do ta konsideronte historik.
Sali Berisha: “Për shqiptarët një komb që kanë vuajtur dhe kanë paguar çmimin më të madh për problemet e sigurisë së tyre, një komb që, me gjithë përpjekjet mbinjerëzore që kanë bërë, mund të themi se më së shumti kanë arritur të sigurojnë mbijetesën ditët e sotme. Hap një epokë të re, epokën e sigurisë së plotë të lirive të tyre, epokën në cilën shqiptarët do mund të ndërtojnë të ardhmen që meritojnë në liri.”
Zgjerimi me dy anëtarë të rinj në një jubile të rëndësishëm, NATO i shtoi dhe miratimin e një koncepti të ri strategjik për sigurinë, me fokus kryesor Afganistanin, një moment që u konsiderua historik për vetë aleancën.
Një vit më parë, Shqipëria u bë anëtare me të drejtat e plota të NATO-s, aleancës më të madhe ushtarake të kohës.
Që prej kësaj periudhe, forcat shqiptare të armatosura u janë nënshtruar reformave të thella për t’u përshtatur kësaj aleance.
Regjimenti i forcave speciale dhe komando është njësia elite e ushtrisë sonë, e përbërë nga një batalion i forcave speciale dhe dy komando.
Ky regjiment numëron rreth 24 operacione paqeruajtëse në vende si Afganistani, Iraku, Bosnja dhe së fundmi Çadi me detyra specifike.
Dritan Demiraj: “Është njësia e cila merret me gjithë misionet speciale luftarake, gjithashtu dhe jo luftarake. Misioni kryesor është lufta kundër terrorizmit. Është edhe një nga sfidat e sotme të gjithë shteteve partnere dhe ushtrive partnere tona. Jemi të specializuar në tokë, det dhe ajër, që nënkupton të gjithë spektrin e veprimeve luftarake që kryhen nga forcat speciale edhe homologe tona.”
E veçanta e këtij 1-vjetori është se për herë të parë forcat speciale të ushtrisë do të angazhohen në luftime në zonën më të rrezikshme të botës, në ndryshim nga misionet e mëparshme paqeruajtëse.
“Në bazë të një marrëveshje të qeverisë shqiptare me qeverinë e Amerikës kryeministri premtoi një shtesë kontingjenti në Afganistan, e përbërë nga 82 veta. E veçanta e këtij misioni është sepse për herë të parë forcat speciale shqiptare marrin pjesë në operacione të drejtpërdrejta në misionet më të rrezikshme, një pjesë të cilave, për arsye të kufizimit, nuk i përmendim dot.”
Stërvitja për të përballur luftime të tilla ka nisur prej disa muajsh. Një poligon i posaçëm i quajtur poligoni i shpellave, i pari i llojit të tij në të gjithë repartet e forcave speciale të NATO-s, është vendi i trajnimit.
Ai stimulon luftimet në shpella, vende ku prej vitesh kanë gjetur strehim terroristët më të kërkuar të botës, mes Afganistanit dhe Pakistanit.
Një element tepër i rëndësishëm tek forcat speciale është edhe skuadra e snajperëve. Ata janë sytë e operacionit, ofrojnë mbështetje logjistike dhe nëse është nevoja, kryejnë edhe eliminimin e agresorit.
Snajperi mbështetet edhe nga spoteri, i cili gjatë gjithë kohës ofron të dhënat më të rëndësishme për operacionin.
Anëtarësimi në NATO ka bërë që ushtria shqiptare të modernizojë armatimet, si dhe pajisjet logjistike.
Automatiku i famshëm AK47 ose kallashnikovi, i cili prej rreth 50 vjetësh ka dominuar botën, është zëvendësuar me armët më moderne.
I tillë është automatiku HK G-36 C, në të cilin është grumbulluar fuqia e një automatiku sulmi dhe përmasat e stabilitetit të një automatiku për sulme të afërta.
Një tjetër armë e marrë së fundmi nga forcat tona speciale është automatiku ARX 160, i prodhuar nga kompania italiane Beretta.
UMP 9 është një nga automatikët për luftime të afërta më të përdorura tani në botë. Si një armë moderne, në të ka mundësi të vendosen edhe shumë aksesorë nga dylbitë elektriku dhe pika e kuqe.
Ndërkohë, pistoleta TT 33, që ka shërbyer për shumë kohë në ushtrinë tonë, këtu është zëvendësuar me Beretta PX 4. Falë kalibrit të saj prej nëntë milimetrash ofron më shumë fuqi zjarri dhe më shumë fishekë.
Por lufta moderne tashmë ka marrë një nocion të ri, ajo nuk zhvillohet më si një luftë fronti, por urbane, pra në qendrat e banuara.
Për këtë qëllim, batalioni i forcave speciale i nënshtrohet një stërvitjeje të rreptë dhe shumë specifike. E kjo luftë përfshin aksione në tokë dhe në det.
Forcat speciale i nënshtrohen një stërvitje shumë të vështirë për luftime trup me trup. Ata janë të specializuar në disa lloje artesh marciale.
Vëmendje në stërvitjen e njësive speciale i është kushtuar edhe sulmeve në struktura të lëvizshme si trena, aeroplanë dhe autobusë.
Edhe pse Shqipëria tashmë është në Aleancë prej një viti, reformat në të janë ende duke u zhvilluar, si në modernizimin e infrastrukturës, ashtu edhe në përmirësimin e nivelit të stërvitjes dhe mësimit./tvklan.al