Shqipëria U-15, po tregon një formë shumë të mirë. Kuqezinjtë e trajnerit Armand Damo, triumfuan me shifrat e thella 8-1 ndaj San Marinos, në ndeshjen e vlefshme për turneun “UEFA Development U-15”.
Një tjetër sukses i rëndësishëm për kombëtaren kuqezi, që vjen pas fitores 4-1 të pak ditëve më parë ndaj Ishujve Faroe.
Sa i përket fitores me San Marinon, Fabio Hyseni , Mattia Xhemali dhe Haxhi Rrena shkëlqyen me nga një dopietë, ndërsa dy golat e tjerë u shënuan nga Erjon Vajushi dhe Rajan Dybeli.
Në ndeshjen tjetër të grupit të luajtur paraditen e sotme në “Shtëpinë e Futbollit”, Bosnje Hercegovina fitoi ndaj Ishujve Faroe me rezultatin 2-0.
Ndeshjet e treta të turneut “UEFA Development U-15” do të zhvillohen më 28 Tetor. Sfida e parë e ditës në “Shtëpinë e Futbollit” do të jetë Ishujt Faroe – San Marino në orën 10:00, ndërsa Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina do të përballen në orën 14:00. /tvklan.al