Refuzimi i vizave nga ambasadat për qytetarët shqiptarë ka pësuar një rënie krahasuar me një vit më parë.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme deklarojnë se kjo normë e ulët e kthimit nga ambasadat e huaja të kërkesave të shqiptarëve për t’u pajisur me vizë të nivelit C, ka ardhur që pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes për lehtësimin e vizave.

Gazmend Turdiu: “Është e vërtetë që norma e refuzimit të vizave për shtetin shqiptar është relativisht e lartë, por është me një tendencë të qartë rënie. Që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes për lehtësimin e vizave me BE-në.”

Bazuar në të dhënat e projektit “European Citizen Action Service” flitet për një përqindje në masën 37% të refuzimit nga ana e ambasadës Greke në Shqipëri, 24% për atë Gjermane, 22% për ambasadën Franceze dhe 11% për ambasadën Italiane. Por cilat janë shkaqet që i mbajnë në këto nivele refuzimet?

Gazmend Turdiu: “Ambasadat fqinje kanë edhe më shumë aplikime dhe kanë edhe ngarkesë pune edhe më të madhe dhe ndoshta kjo ka qenë dhe tendenca. Por sidoqoftë ky është një nga faktorët të cilët kanë bërë që një pjesë e kërkesave për vizë të mos jenë të themi të legjitimuara për të marrë përgjigje pozitive. Pastaj dhe për shkak të kësaj situate ndoshta ka patur dhe një qëndrim diku, diku ndoshta edhe pak më të rreptë nga një ambasadë në tjetër. Në vendet fqinje norma e lartë e refuzimit të aplikimeve për vizë na e kanë rritur, mendoj në mënyrë artificiale persona të cilët kanë gjykuar që duke marrë nje vizë turistike ndoshta mund të kenë një mundësi punësimi në këto vende dhe prandaj aq sa ç’është i lartë numri i aplikimeve, po ashtu kemi një normë relativisht më të lartë refuzimi se sa në ambasadën e vendeve tjera, ku ne nuk kemi një traditë emigracioni. Sa më e lartë cilësia e aplikimit aq më e madhe është mundësia për të marrë një përgjigje pozitive.”

Për diplomacinë shqiptare zbutja e kësaj situate synon të marrë zgjidhje përfundimtare pas përmbushjes së standardeve që Shqipëria duhet të plotësojë me shtyllat kryesore, si pasaportat biometrike dhe sigurimi i kufijve.

Gazmend Turdiu: “Me futjen në përdorim të pasaportave biometrike, me përmirësimin e aftësisë e autoriteteve shqiptare për të kontrolluar kufirin me realizimin e një baze të saktë të lëshimit të pasaportave. Të gjitha këto kanë pasur përmirësime shumë të ndjeshme të cilat së pari kanë rezultuar në uljen e normës së refuzimit të aplikimeve për vizë, kjo që sapo po flasim bashkë, por që edhe në fakt po shkojmë drejt heqjes së vizave për gjithë qytetarët.”

Ulja e numrit të refuzimit të vizave nga ambasadat e vendeve të Bashkimit Evropian është një ndër kushtet e përcaktuara në katër shtyllat e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro