Gjatë një vizite që bëri në lagjen e re të Ndroqit, Kryeministri Edi Rama deklaroi se gënjeshtrat me prapavijë elektorale do të shtohen nga radhët e opozitës në lidhje me banesat që po rindërtohen. Kreu i qeverisë u shpreh se njerëzit kanë të drejtë të jenë në ankth pas lajmeve të rreme që sipas tij dolën se atyre nuk do u lejohet shitja e shtëpisë për shkak të një marrëveshje të nënshkruar.
Por kryeministri mohoi gjithçka. Ai i quajti “maskarallëqe” dhe tha se do të vijnë duke u shtuar për shkak të zgjedhjeve. Rama kërkoi që të realizohet një marrëveshje me banorët që do të hyjnë në apartamentet e reja ku të theksohet se nëse nuk respektohen afatet do të penalizohet bashkia ose qeveria. E gjitha kjo sipas Ramës duhet të bëhet për të siguruar qytetarët dhe për të mos i bërë ata të shqetësohen.
Po ashtu Rama kërkoi që familjet që kanë banesën në një në pozicione të këqija gjeografike dhe gjeologjike t’u jepen paratë në dorë dhe ta ndërtojnë vetë banesën nëse duan.
“Është e rëndësishme që të gjithë ata që janë akoma në pritje, pasi shtëpitë individuale në një mënyrë ose tjetër po avancojnë. Familjet po kthehen në shtëpi. Një pjesë e vogël që shtëpitë e dëmtuara i kanë në pika që gjologjikisht, gjografikisht nuk janë të nevojshme t’i marrin paratë në dorë dhe është zgjedhja e tyre. Nëse duan ta ndërtojnë atje, sigurisht me supervizionin tonë, ta ndërtojnë atje. Sugjerimi, natyrisht jo imponues, duhet të jetë që të mos e ndërtojnë atje. Pra të gjejnë një zgjidhje sipas mundësive që kanë, por sipas shumës që iu jepet mund ta ndërtojnë kudo. Ndërkohë ata që presin apartamentet një pjesë e madhe duhet të presin ende, atyre duhet t’u japim kontratën dhe t’u themi që kjo është kontrata që familja jote merr këtë appartament me këtë sipërfaqe, dhe me një angazhim kohor, që ta dinë mos të thonë që është letër pa vlerë, por një letër me vlerë që në këtë afat merr apartamentin. Për çdo kalim afati që mund të ndodhë për 1001 arsye, qeveria, bashkia do të paguajë një penalitet. Kështu ai e ka kontratë me vlerë noteriale që nëse do të shkojë të kërkojë llogari në gjykatë le ta kërkojë. Më shumë për t’u dhënë sigurinë psikologjike dhe për të mos rënë më pre e këtyre maskarallëqeve që do të shkojnë duke u shtuar për shkak të zgjedhjeve. “Jo shtëpinë do t’ua marrin mbrapa, jo shtëpinë nuk do ta shisni, jo do t’ju lenë me qira, jo do t’ju marrin lekë”, të gjitha këto janë dokrra, megjithatë njerëzit kanë të drejtë që të kenë ankthin dhe shqetësimin e arsyeshëm”, tha Rama./tvklan.al