Komisioni Evropian do të japë 500 milion euro ndihmë për shtetin e ri të Kosovës.
Në fillim të konferencës së donatorëve ndërkombëtarë të mbajtur në Bruksel komisioneri evropian për zgjerim, Olli Rehn, tha se Kosova është një çështje evropiane dhe se Blloku është i gatshëm të përdorë të gjithë instrumentet për ta ndihmuar shtetin e ri në realizimin e perspektivës evropiane.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë premtuar tashmë një shumë prej 400 milion dollarësh, ndërsa synimi i konferencës është sigurimi i afro 1.5 miliard eurove që do të shërbejnë për rindërtimin e ekonomisë së rrënuar të Kosovës.
Prishtina zyrtare, e përfaqësuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka zbritur në Bruksel dhe ka përcaktuar prioritetet dhe planet e saj kryesore në një dokument prej 145 faqesh që u paraqit në konferencë.
Kryeministri Hashim Thaçi siguroi Brukselin se asnjë qindarkë e këtyre fondeve nuk do të shpërdorohet. Ky fond, tha ai, i përket të gjithë popullit të Kosovës.
Një pjesë e madhe e shumës së përgjithshme të donatorëve pritet të shkojë për shlyerjen e pjesës kosovare të borxhit të Ish-Jugosllavisë, të trashëguar pas shkëputjes nga Serbia, ndërsa pjesa tjetër do të shpërndahet në një sërë fushash.
Pavarësisht se është njohur nga të paktën 43 shtete, kryesisht perëndimore, një bum i fuqishëm investimesh në Kosovë nuk është materializuar akoma.
Kjo pritet të ndodhë edhe pas anëtarësimit në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, dy institucione tepër të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle