Ministria e Financave ka vendosur që projektimi, financimi dhe prodhimi i pullave fiskale për produktet e akcizës dhe barnat të jetë monopol shtetëror. Kështu, përmes një udhëzimi të hedhur fillimisht për konsultim publik, synohet që kontrata me koncesionarin e zgjatur nga viti 2010 deri më 31 Dhjetor 2024 të mos rinovohet më.
“Nga data 1 Janar 2025, propozohet që prodhimi dhe shpërndarja e pullave fiskale të kryhet nga një person i autorizuar nga Këshilli i Ministrave. Gjithashtu, për efekt të rëndësisë që kanë elementët e sigurisë së pullave fiskale propozohet që këta elementë të përcaktohen me VKM.”
Sipas udhëzimit të ri, pagesat e çmimeve të pullave fiskale dhe kostove të dërgesave do t’i paguhen personit të autorizuar nga Këshilli i Ministrave.
“Çmimi për çdo pullë fiskale të prodhuar dhe të shpërndarë nga personi i autorizuar përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave. Të gjithë prodhuesit dhe importuesit, të cilëve, sipas ligjit, u kërkohet të aplikojne pullën fiskale i paguajnë personit të autorizuar çmimin e pullave të përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave.”
Ministria e Financës ka draftuar projektiligjin, i cili do t’i dërgohet për mendim Ministrisë së Drejtësisë, Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit dhe Ministrit të Shtetit dhe Kryenegociator, teksa nuk parashikohet të ketë efekte shtesë në buxhet.
Tv Klan