Lajme Arkiva 2003

ICITAP organizata për trajnimin dhe luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar do të monitoroj sigurinë e aeroportit të Rinasit. Kjo do të bëhet nëpërmjet instalimit të disa kamerave spiune në hyrje- dalje në të gjitha ambientet e aeroportit.

Në takimin e zhvilluar me Ministrin e Transporteve Poçi përfaqësuesit e kësaj organizate në Shqipëri kanë koordinuar në lidhje me veprimet në fjalë. Ministri i transportit ka thirrur në mbledhje edhe përfaqësues nga policia shërbimi informativ, doganat, aviacioni dhe të tjera struktura që veprojnë në aeroport duke kërkuar një tjetër sistem rregullash për sigurinë.

Monitorimi absolut që do të instalohet gjatë këtyre ditëve në aeroport realizohet tashmë nga kamera dhe oficer të ICITAP-it dhe bëhet pas rasteve të terrorizmit të konstatuar që prej 11 shtatorit në Amerikë dhe në prag të një lufte të pritshme në Irak për të cilën Shqipëria ka shprehur mbështetjen e saj ndaj shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të tyre.

Pas bisedës dhe koordinimit të punës në Ministrinë e transporteve, drejtues të ICITAP do të realizojnë edhe një marrëveshje me Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme në lidhje me marrjen plotësisht në dorë të monitorimit viziv të Rinasit, ndërsa instalimi i kamerave spiune do të filloj menjëherë shoqëruar edhe me funksionimin e një tjetër sistemi rregullash që përbëjnë një gjendje pothuajse gatishmërie për strukturat vepruese në Rinas./tvklan.al