Fjorald Zguro: “Shpejtësia vazhdon të ngelet gangrenë për rrugët shqiptare. Këtu gjendem në Superstradën Tiranë-Durrës, e përgjakur nga një numër aksidentesh ditët e fundit. Megjithatë forcat e policisë rrugore janë shtuar në këtë segment, por shpejtësia tej normave të lejuara ende nuk është vënë fre, siç edhe tregojnë këto pamje.”

Ky është vetëm një rast ku me gjithë ndërhyrjen  e policisë rrugore, rregullat e qarkullimit  nuk respektohen.

I jemi rikthyer autostradës Tiranë-Durrës, pasi vetëm gjatë dy ditëve të fundit këtu janë shënuar aksidente ku kanë humbur jetën 7 shtetas dhe plagosur 9 të tjerë.

Drejtues rajonal të policisë rrugore thonë se po marrin masa për disiplinimin e qarkullimit në këtë segment rrugor.

Gjelosh Prendi: “Komisariati i Policisë së Durrësit ka marrë që dje në aksion duke ngritur pikat e kontrollit në të gjitha akset rrugore që mbulon komisariati i Durrësit. Për parandalimin e aksidenteve, kontrollin për pije alkoolike, për rripa sigurimi dhe dokumentacion.”

Në të dy krahët e autostradës gjenden patrullat e lëvizshme të kontrollit të shpejtësisë me radar. Policë rrugor pohojnë se janë të shumta rastet e pezullimit të patentave dhe të gjobave si pasojë e shpejtësisë marramendëse të drejtuesve të automjeteve.

Për tu theksuar është fakti se pjesa më e madhe e patentave të bllokuara janë të huaja, pra të emigrantëve shqiptar apo shtesave kosovar që vijnë për pushime në Shqipëri.

Shpejtësia e lejuar në këtë superstradë është 90 km/orë. Në rast të tejkalimit të kësaj shpejtësie me 20 km më tej  në orë merren masa të pezullimit të patentës./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro