Ndeshja e Kategorisë së Parë, mes Erzenit dhe Lushnjës është shtyrë. Sfida ishte planifikuar të zhvillohej këtë të Shtunë në Shijak, por për shkak të gjendjes jo të mirë të fushës, është vendosur që ky takim të spostohet për ditën e Diel.

Në njoftimin e FSHF-së, thuhet se ndeshja do të zhvillohet në stadiumin e Vorës, duke nisur nga ora 13:30.

“Departamenti i Garave në FSHF bën me dije se ka një ndryshim në programin e ndeshjeve të Kategorisë së Parë për javën e 18-të. Ndeshja e planifikuar për t’u luajtur sot, Erzeni – Lushnja është shtyrë për shkak të gjendjes jo të mirë të fushës. Kjo ndeshje do të zhvillohet nesër, ditën e diel, në stadiumin e Vorës dhe do të nisë në orën 13:30”, thuhet në njoftim.

Pritet një sfidë tepër e luftuar, për shkak të pozitave ku ndodhen dy ekipet. Erzeni mban vendin e fundit me vetëm 4 pikë, ndërsa Lushnja vendin e shtatë me 21 pikë. /tvklan.al