Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut nuk ka mundur të marrë në shqyrtim kërkesat e paraqitura nga disa parti politike dhe shoqata të ndryshme për vlerësimin e kushtetushmërisë së ligjit për gjuhët, i cili përcakton mes të tjerave edhe një përdorim të gjerë të Gjuhës Shqipe në procese gjyqësore, paratë dhe në uniformat policore.

Seanca e së mërkurës filloi me mungesën e dy gjykatësve shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, që bojkotuan procesin me qëllim bllokimin e procedurave të gjykatës, e cila sipas një vendimi të mëparshëm të sajin ka përcaktuar si detyrues pjesëmarrjen unanime të të gjithë gjyqtarëve në proceset që kanë të bëjnë me çështje që rrjedhin nga marrëveshja e Ohrit, siç është edhe ajo e gjuhëve.

Ndaj në hapje të saj, gjykatësi i etnisë turke, Fatmir Skënderi propozoi shtyrjen e seancës për dy javë, me qëllim që të sigurohej prania e dy gjykatësve shqiptarë dhe plotësimi i përbërjes së gjykatës. Propozim ky që u hodh poshtë me votim, çka solli largimin e gjykatësit Skënderi nga seanca.

Përballë kësaj situate, relatorja e çështjes Elizabeta Dukovska propozoi shtyrjen e seancës për një afat të pacaktuar, duke u dhënë mundësi njëkohësisht ekspertëve të fushës dhe përfaqësuesve të partive politike, të paraqesin argumentet e tyre lidhur me kontestimin e ligjit për gjuhët në një seancë paraprake që pritet të mbahet më 23 Dhjetor.

Nisur nga debati i krijuar në Maqedoninë e Veriut për këtë çështje, kreu i Kushtetueses, Darko Kostadinovski akuzoi partitë politike për presion, ndërsa bëri të qartë se nuk do të lejojë që gjykata të shantazhohet nga askush.

Lidhur me këtë debat një ditë më parë reagoi edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili theksoi se Gjuha Shqipe nuk është një çështje e Gjykatës Kushtetuese dhe as ligjore, por një element që ka mbajtur bashkë Maqedoninë e Veriut.

Tv Klan