Ndeshja Bologna-Milan, është shtyrë përfundimisht. E planifikuar për tu luajtur të shtunën, takimi është shtyrë, për shkak të motit të keq që parashikohet në qytetin e Bolonjës.

Palët ishin në bisedime nga mbrëmja e së enjtes, për të gjetur një zgjidhje, për zhvillimin e ndeshjes. Hipotezat ishin që ndeshja të luhej me dyer të mbyllura ose në një stadium neutral, por kjo nuk do të ndodhë.

Kryetari i bashkisë në Bolonja, Matteo Lepore, ka refuzuar që ndeshja të luhet me dyer të mbyllura dhe Lega Serie A, ka vendosur ta shtyjë ndeshjen për një datë të pacaktuar.

Presidenti i Milanit, Paolo Scaroni, nuk u shfaq i lumtur pas njoftimit. “Vendim i pakuptueshëm, nga kryebashkiaku i Bolonjës, i cili nuk donte të luanim me dyer të mbyllura”, tha Scaroni.

Sfida Bologna-Milan, ishte parashikuar të luhej të shtunën në orën 18:00, ndërsa tani duhet të gjendet një datë e lirë, diçka që duket e vështirë, për shkak të ngjeshjes së madhe të ndeshjeve. /tvklan.al