Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së që zgjati rreth 2 orë ditën e sotme, Gazment Bardhi i informoi deputetët për negociatat që ka zhvilluar gjatë kësaj kohe me PS-në përsa i përket kërkesave të tyre, por edhe rikthimin e normalitetit në parlament.
Gazetari i Klan News, Enkel Xhangoli, thotë se sipas këtyre zhvillimeve, duket se PD dhe PS kanë rënë dakord për të ngritur 2 komisione hetimore. Megjithatë, nuk kanë munguar as debatet në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, ku protagonistë kanë qenë deputetët Tritan Shehu dhe Bledion Nallbati. Më shumë detaje rreth përplasjes së tyre ka sjellë gazetari Xhangoli në një lidhje direkte për Klan News.
“Nuk kanë munguar as debatet brenda grupit parlamentar, ku deputetë të ndryshëm kanë dhënë mendimet e tyre përsa i përket negociatave, ku shumica është dakord për të ngritur 2 komisione, por edhe për të pasur një normalizim në parlament. Duket se deputeti Tritan Shehu, i cili gjithashtu mori fjalën në mbledhjen e grupit tha se ky grup duhet të ketë në fokus për të shpëtuar Berishën nga masa e sigurisë dhe për të pasur njëlloj aksioni dhe për të vijuar aksionin në parlament për të liruar Berishën nga masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Kjo gjë ka sjellë reagime të deputetëve të cilët janë dakord që të arrihen negociata me PS, por më i ashpër ka qenë Bledion Nallbati, i cili i ka thënë Shehut se nëse vijohet aksioni parlamentar, atëherë në krye të aksionit, duhet të dalë vetë Tritan Shehu, duke i thënë atij se nuk ka qenë aktiv gjatë këtyre 5 muajve që grupi parlamentar ka vijuar aksionin e tij në parlament. Gjë e cila ka marrë një kundërpërgjigje nga Tritan Shehu, i cili i është drejtuar se nuk duhet t’i flasë në atë gjuhë një kolegu të tij në PD. Shehu e konfirmoi për mediat qëndrimin e tij duke thënë se grupi i PD-së nuk duhet të fokusohet në 2 komisione, pasi sipas tij kjo nuk është më e rëndësishme se sa shfuqizimi i masës për Berishën apo vijimi i aksionit në parlament”, raporton gazetari.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të vendoset në Konferencën e Kryetarëve që po zhvillohet mes PS-së dhe PD-së që nga ora 13:30./tvklan.al