Ky është Pjetër Paçani, 61-vjeçari nga Fushë-Kuqja e Laçit që u arrestua mbrëmë në Fier. Ai ishte një nga 50 më të kërkuarit në Shqipëri dhe prej 13 vitesh ishte në arrati.

Ai u kap në një banesë në Fier në lagjen “1 Maji” nga Forcat Operacionale.

Në banesë iu gjetën 3 armë zjarri pistoleta (1 Glock, 1 Zastava dhe 1 TT), 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, granatëhedhës dhe 2 antiplumba.     

Gjykata e Tiranës e ka dënuar në vitin 2014 me 25 vjet burg për vrasjen e 2 personave pranë një karburanti në aksin Lezhë-Tiranë më 18 Janar 2011.

NGJARJA KRIMINALE PËR TË CILËN ËSHTË DËNUAR:

Ngjarja për të cilën akuzohet ndodhi më datën 18 Janar 2011, pranë një karburanti në autostradën Lezhë-Tiranë. Pjetër Paçani, i cili ishte biznesmen i një kompanie betoni, ekzekutoi me armë zjarri Ndoc Zymajn dhe Vlash Gjeçit.

Shkak për krimin dyshohet se u bë një kontratë huamarrje mbi 100 mijë Euro, e cila nuk është kthyer sipas kohës së parashikuar në kontratë.

Palët fillimisht u konfliktuan nëpërmjet mesazheve telefonike dhe bisedave, duke ofenduar njëri-tjetrin. Pas kësaj situata përshkallëzoi. Ditën e krimit, Pjetër Paçani mori pistoletën dhe shkoi në lokalin ku Vlash Gjeçi dhe Ndoc Zymaj po pinin kafe.

Sipas dosjes hetimore, Paçani hyri në lokal, nxori armën dhe u tha “…mos lëvizni…”. Hapi zjarr disa herë në drejtim të tyre dhe më pas shtoi “…më shani prap me nënë e motër…”.

Më pas doli nga lokali, hipi në makinën e tij Porsche dhe u largua duke i shpëtuar arrestimit për vite me radhë. Njëri prej viktimave, Vlash Gjeçi, i cili ishte ende gjallë sipas dëshmitarëve tha, “…na preu në besë…”.


/tvklan.al