Hetimet të cilat nisën që në fillim të vitit 2024 për trafikun e armëve Kosovë-Shqipëri, janë ndjekur edhe me veprime simuluese në terren. Personat, të cilët u arrestuan në Shqipëri dhe që iu konfirmua masa e sigurisë “Arrest në burg” të shtunën nga Gjykata e Tiranës, rezulton të kenë kryer shitje armësh për agjentët e kamufluar.

Këto raste kanë dokumentuar sipas Prokurorisë përfshirjen e tyre në këtë rrjet të trafikut, ndërkohë në dosjen e armëve, grupi hetimor do të bashkojë edhe atë të sekuestrimit të 1 kg kokainë në Tiranë, ku u arrestua 22-vjeçari, Euxhenio Manushi.

Kjo pasi vepra penale konsiderohet vijim i të njëjtit aktivitet kriminal, sa kohë hetimet treguan që armët e zjarrit shkëmbeheshin me kokainë, sasia e të cilës varionte nga lloji i armës. Armët siguroheshin në Turqi e Serbi dhe pasi modifikoheshin në Kosovë, trafikoheshin në Shqipëri dhe shiteshin për tregun vendas, por në disa raste ka pasur tentativa për t’i nxjerrë jashtë shtetit.

Në total, nga ky operacion i zhvilluar mes autoriteteve shqiptare dhe atyre kosovare u lëshuan 23 masa sigurimi. Personi i konsideruar si kryesor në këtë aktivitet Valter Osmani, u arrestua në Kosovë, ai e kishte bazën e veprimit në një banesë në Kombinat.

Tv Klan