Prej datës 24 Dhjetor e deri më 3 Janar, Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri të përforcuar në kuadër të masave të ndërmarra për festat e fundvitit.
Rebani Jaupi, drejtor i Rendit dhe Sigurisë në Policinë e Shtetit, thotë se masat e marra vijnë si rrjedhojë e numrit të lartë të turistëve dhe emigrantëve që kthehen në vend në këto ditë.
Krahas shesheve kryesore në qytetet e vendit që frekuentohen më së shumti nga qytetarët, Jaupi shprehet se policia ka shtuar prezencën dhe pranë institucioneve financiare.
“Për shkak të incidenteve që kemi pasur ditët e fundit të Dhjetorit ku persona të ndryshëm kërkojnë me çdo mënyrë për të pasur lekë në dorë, jemi të fokusuar që këto ambiente t’i kemi në vëmendje dhe kontroll të vazhdueshëm”.
Duke u ndalur tek mjetet piroteknike, Jaupi thotë se ata vijojnë të mbeten një problem, aq më tepër kur përdoren nga persona të pacertifikuar.
“Prindërit të mos lejojnë fëmijët e tyre nën moshë që pavarësisht se si mund t’i kenë gjetur apo siguruar fishekzjarrët, mos t’u lihet në dorë atyre pasi në çdo kohë mund të krijojnë incidente”.
Ditët e fundit të këtij viti kanë shkaktuar jo pak probleme dhe në lëvizjen e automjeteve në rrugët e vendit.
Për këtë arsye policia thotë se ka rritur numrin e efektivëve në terren si dhe ka përcaktuar njollat e zeza të aksidenteve me qëllim shmangien e ngjarjeve rrugore.
Tv Klan