“Për rreth 6 orë, 11 kandidatët për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit u intervistuan nga Komisioni i Posaçëm i përbërë nga Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Brendshme, Suzana Hoxha, zëvendës/ministri Besfort Lamallari dhe Drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani.”
I pari që u paraqit në orën 9, sipas rendit alfabetik ishte Adriatik Tafçiu, pedagog në Akademinë e Sigurisë. Pas tij u paraqit, zëvendës/drejtori i Policisë së Lezhës Altin Mena, drejtori i Gjirokastrës Ardian Çipa, i Elbasanit Ilir Proda, për të përfunduar me drejtorin e Policisë së Durrësit Skënder Hita.
Secili prej tyre qëndroi për rreth 30 minuta. Ata u pyeten nga komisioni për platformën e tyre dhe objektivat në rast se zgjidhen në krye të 12 mijë punonjësve të policisë.
Pas përfundimit të procesit të intervistimit, të enjten Komisioni do të bëjë pikëzimin e kandidatëve, dhe të premten pritet që ministri i Brendshëm t’i dërgojë Këshillit të Ministrave emrin më të vlerësuar, për ta miratuar.
Së bashku me emrin më të kuotuar do të dërgohet dhe një relacion, me argumentet përkatëse për emrin e propozuar nga ministria e Brendshme.
Procesi i zgjedhjes se ‘kryepolicit’ po monitorohet edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
Klan News