Siguria në shkolla është cënuar rëndë. Konfliktet mes nxënësve janë shtuar ndërkohë që masat që po merren janë të vakta. Sipas ekspertit të arsimit Ndriçim Mehmeti, duhen masa konkrete dhe afatgjata.
Ndriçim Mehmeti, ekspert arsimi: Mësuesit duhen trajnuar për zgjidhjen e konflikteve. Besoj që ju e keni vënë re që ka shkolla që nuk ka oficer policie. Atëherë duhet të kemi një mësues të trajnuar, sepse ne fusim mësues koordinator cilësie dhe karriere, por ne s’kemi sigurinë. Do të doja që ky të ishte një debat kombëtar pra të zgjerohej jo vetëm me prindër, por edhe me mësues edhe ndihmës mësues, edhe me njerëz të fushës, por edhe policia e Shtetit të rishikojë edhe njëherë sepse ka një protokoll dhe protokolli nuk është zbatuar.
Zgjatja e orarit të qëndrimit të nxënësve në shkolla, 8 me 4 si kërkojnë prindërit, sipas ekspertit Mehmeti është një masë pozitive e cila zbut konfliktet mes nxënësve.
Ndriçim Mehmeti, ekspert arsimi: Ne nuk do të bëjmë kurrë as edukim as arsimim nëse nuk e bëjmë shkollën 8 me 4, pra shkolla gjithëditore siç e ka gjithë bota, e cila mundëson së pari socializimin e fëmijëve, së dyti mundësinë për të ngrënë ushqim sepse kemi shtresa vulnerabël që vijnë në shkollë, por edhe për t’i edukuar në lidhje me mirëushqyerjen.
Mehmeti jep edhe disa shembuj konkret se si mund të realizohet.
Ndriçim Mehmeti, ekspert arsimi: Ne kemi mundësi të pafundme për ta bërë këtë, jo me mësuesit e shkollës të cilët e kryejnë një cikël, por kemi një mundësi tjetër që janë mësuesit praktikant, kemi ndihmës mësues, mësuesit e portalit e mësuesit në dispozicion. Absulutisht(mund të realizohet vitin e ardhshëm). Po marrim Kosovën. Atje ishte që mëngjesin jua jepnin ushqimin prindërit, dhe në drekë kishte një kuzhinë qëndrore të bashkisë që gatuante dhe shpërndante gjellë jo katering me sanduiç. Disa kishin përshtatur palestrën, disa kishin një hapësirë brenda në shkollë, pra mundësitë janë të panumërta për ta bërë.
Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani ka sjell reagime dhe protesta të shumta të prindërve dhe qytetarëve, të cilët më 18 Dhjetor, do të zhvillojnë protestën e rradhës, ditë e cila përkon me një muaj pas ngjarjes tragjike në shkollën “Fan Noli”.
Klan News