Shkolla 9-vjeçare e Grekanit në Belsh për këtë vit shkollor numëron 100 nxënës. Vitin e kaluar numëronte 120 të tillë. Në fund të muajit prill, shkolla mbeti pa drejtues pasi ish-drejtoresha fitoi një vend pune diku tjetër.
Në vend të saj u emërua drejtuese e përkohshme Burbuqe Uruçi, mësuese në këtë shkollë dhe njëkohësisht bashkëshorte e Durim Uruçit, drejtor i ZA Belsh. Që këtu fillon konflikti i interesit, mbështetur në ligj, pasi drejtori i ZA, ka vartëse këtë drejtuese drejtpërdrejt.
Drejtuesi i ZA-së ka detyrimin të njoftojë Drejtorinë Rajonale për vendin bosh. Por mos ndoshta drejtori i ZA-së po pret që bashkëshortja e tij të marrë certifikatën e drejtorëve dhe më pas të futet në garë pa e lëshuar këtë vend të lakmuar, duke ia bërë gati së shoqes emërimin përfundimtar?
Emisioni “Stop” në Tv Klan shkon për ta takuar drejtoreshën, por fillimisht thuhet që ajo nuk ndodhet në shkollë.
Sanitarja: Drejtoresha nuk ka ardhur sot, se ka vëllanë sëmurë.
Gazetari: Ah, vërtet, dini dhe të gënjeni, pa mirë!
Pasi gazetari i “Stop” gjen drejtoreshën të fshehur në tualet, ajo thotë se ka 30 vjet në punë.
Burbuqe Uruçi, drejtoreshë: Nuk po them, që do e mbaj unë. E kam bashkëshort. Po kam 30 vjet në punë.
Drejtori i ZA-së Durim Uruçi nuk përgjigjet për këtë shkelje, por shprehet se do kërkesë me shkrim.
Durim Uruçi, dr. ZA Belsh: Jam i papërgatitur. Bëni kërkesë me shkrim!
Sipas ekspertit të arsimit Ndriçim Mehmeti, arsyetimi se po pritej regjistrimi i nxënësve është gënjeshtër. Ka shkolla me 30 nxënës dhe kanë drejtor. Menjëherë pas ngritjes së problemit nga ana e “Stop”, u shpall vendi vakant për drejtor shkolle në Grekan të Belshit./tvklan.al