Trajneri i Shqipërisë, Silvinjo, foli për Tv Klan, pas ndeshjes ku kuqezinjtë barazuan pa gola ndaj Çekisë.
Tekniku kuqezi deklaroi se e vetmja gjë që nuk i pëlqeu në këtë takim nga ekipi, ishin 20 minutat e para. Silvinjo theksoi se barazimi lë gjithçka të hapur në grup.
“Barazimi është një rezultat që lë çdo gjë të hapur. Është një grup i ekuilibruar. Çekia është ekip i ashpër dhe kanë ritëm. E vetmja gjë që nuk më ka pëlqyer në këtë ndeshje janë 20 minutat e para. Ishte e vështirë për tu përballur me Çekinë. Jam krenar për ekipin tim.
Është një ekip i vështirë për tu përballur. Janë lojtarë shumë të gjatë. Nuk është se lojtarët tanë nuk iu përshtatën skemave, por ishte një rival i vështirë. Duke bërë presion dhe me topin e gjatë nxjerr sulmuesit para”, tha ai.
Silvinjo u shpreh se bëri disa ndryshime në krahasim me ndeshjen në Pragë, duke thënë se në rast se ekipi do të kishte luajtur si në Çeki, do të kishte humbur edhe këtë herë.
“Nuk më surprizoi Çekia me qarkullimin e topit. Kemi bërë ndryshime nga ndeshja e parë. Nëse do të luanim si në Pragë, do të kishim humbur këtu. Lojtarët iu përshtatën ndryshimeve. Nëse marrin top të gjatë, kanë mundësi të jenë të rrezikshëm.
Mendoj se ky barazim na lë hapësira të luajmë për vendin e parë. Kampionati çek është shumë i fortë. Ne e kemi ndryshe stilin, luajmë më shumë futboll dhe jemi më teknikë”, deklaroi Silvinjo.
Shqipëria barazoi pa gola ndaj Çekisë, në ndeshjen e vlefshme për raundin e pestë në Ligën e Kombeve, e cila u transmetua në Tv Klan.
/tvklan.al