Nuk ka kohë për të humbur as për trajnerin Silvinjo, ndërsa sfida e parë e kualifikuesve të Kupës së Botës 2026 po afron. Kuqezinjtë do të përballen me Anglinë në “Wembley” të Londrës dhe tekniku brazilian bashkë me stafin e ekipit kombëtar kanë nisur një tur vëzhgimesh e takimesh me futbollistët shqiptarë që aktivizohen në klubet europiane.
Ata ndoqën takimin e Ligës së Kampioneve, Sparta Praga – Inter, të zhvilluar në stadiumin “Epet Arena”, që përfundoi me fitoren e zikaltërve. Mesfushori i Interit Asllani e nisi titullar e luajti për 72 minuta, kurse Laçi ishte në fushë gjatë gjithë takimit.
Silvinjo së bashku me ndihmësit e tij, Doriva dhe Pablo Zabaleta u takuan me lojtarët kuqezi, Asllanin, Laçin e Tucin, ku diskutuan për gjendjen e tyre, për grumbullimin e radhës të Kombëtares si edhe për kualifikueset e Botërorit.
Sipas FSHF, këto takime janë mjaft të rëndësishme për teknikun dhe stafin kuqezi që ka mundësinë të shohë nga afër lojtarët dhe të diskutojë me ta. Silvinjo është në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë futbollistët.
Përveç Anglisë më 21 Mars, Shqipëria do të përballet në “Arena Kombëtare” me Andorrën tri ditë më pas. Ndeshjet e kuqezinjve do të transmetohen ekskluzivisht në televizionin Klan.
Klan News