Ky ishte një moment i rrezikshëm për Bashkimin Evropian, por e kapërcyem atë.
Kështu u shpreh kryeministri italian, Silvio Berlusconi, në përfundim të samitit të jashtëzakonshëm të Bashkimit Evropian për konfliktin në Kaukaz.
Megjithëse liderët e Bllokut 27 anëtarësh ishin të ndarë për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë ata u treguan të bashkuar në paralajmërimin që i dhanë Moskës se marrëdhëniet dypalëshe ndodheshin në udhëkryq.
Për kryeministrin Silvio Berlusconi dhe diplomacinë franceze, rreziku i vërtet qëndronte në vendosjen e sanksioneve në bazë të një versioni të fakteve që e sheh Moskën si fajtore përsa i përket Gjeorgjisë.
Mund të them, tha ai, se kemi evituar ripërsëritjen e Luftës së Ftohtë. Edhe më herët lideri italian shpjegoi arsyen e vërtet se pse Bashkimi Evropian nuk do të vendoste sanksione kundër Moskës.
Është shumë e rëndësishme edhe në interesin e përbashkët, tha ai, të kemi marrëdhënie të mira me Rusinë.
Moska, jo vetëm që është një fuqi e madhe ushtarake dhe bërthamore, por edhe një furnizues shumë i rëndësishëm i gazit dhe naftës për Evropën.
Pavarësisht këtij fakti më e ashpër ishte Britania e Madhe që bëri thirrje për pezullimin e një marrëveshje partneriteti me Moskën dhe i kërkoi BE-së që të rishikojë në mënyrë thelbësore marrëdhëniet me Rusinë.
Udhëheqësit e Bllokut shprehën përkrahjen për Gjeorgjinë duke aprovuar për dislokimin e vëzhguesve të BE-së atje.
Ata dënuan njohjen që Rusia i bëri pavarësisë së dy rajoneve gjeorgjiane dhe u bëri thirrje dhe vendeve të tjera të mos ndjekin rrugën e saj.
Brukseli i kërkoi Rusisë të tërheqë trupat nga Gjeorgjia dhe për të verifikuar përmbushjen e armëpushimit presidenti francez, Nikolas Sarkozi, do të udhëtojnë në fund të javës drejt Moskës./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle