U përkujtua sot në Simpoziumin Ndërkombëtar 800 vjetori i lindjes së Haxhi Bektash Veliut, themelues i bektashizmit. Më këtë rast Ministri i Kulturës Ferdinand Xhaferraj e vuri theksin te kontributi i kësaj feje në shoqërinë shqiptare.
Ferdinand Xhaferraj: “Unë mendoj që trashëgimia shpirtërore e Haxhi Bektash Veliut, mesazhet e tij të urtësisë janë gjithmonë e më të vlerësuara. Ne sot i jemi mirënjohës Baba Rexhepit, i cili duke u zhvendosur në Amerikë dhe duke ngritur aty teqenë e Detroitit, ndihmoi shumë që edhe në kohën kur regjimi komunist ndaloi liritë fetare në vend, ne të ruanim traditën dhe kjo teqe të kthehej në Qendër të Bektashizmit Botëror”.
Ministri Xhaferraj tha, se tashme prej një muaji në Ministrinë e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve është hapur një sektor që do merret me diversitetin fetar në vend.
Ferdinand Xhaferraj: “Qeveria shqiptare do të vazhdojë të mbështesë, të lehtësojë punën e Kryegjyshatës botërore për të lehtësuar edhe praktikat e saj dhe bashkëpunimin e saj me të gjitha bashkësitë fetare të bektashinjve kudo që janë në botë”.
Po kështu ai theksoi se qeveria do ndihmojë në vazhdimësi Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, për forcimin e mëtejshëm dhe konsolidimin e saj si qendër e të gjitha bashkësive bektashiane kudo në botë./tvklan.al